AlbanianSport.com 19.06.2016 22:55
ASNN – “Shqiponjat” duan të qëndrojnë në Francë. Ky është mesazhi që kanë dhënë futbollistët e Kombëtares shqiptare, pas 90 minutave të luajtura në Lion, ku me shpirt dhe zemër arritën të marrin fitoren dhe tri pikët e para në Evropianin francez. Përpara mijëra tifozëve shqiptarë në “Stadë dë Lion”, lojtarët kuqezi, nën drejtimin e trajnerit Xhovani De Biazi realizojnë dëshirën dhe ëndrrën e miliona shqiptarëve.
Sigurojnë fitoren e parë në një veprimtari të përmasave të tilla madhore. Është Sadiku që shënon me kokë brenda zonës, duke ngritur peshë mijëra tifozë të ndodhur në stadium. Pas tre ndeshjesh aktivizim, sulmuesi elbasanas përligj besimin e trajnerit De Biazi me atë të gol të shënuar. Por nuk duhet harruar se rastet për shënim nga ana e Kombëtares kanë qenë të shumta.
Në minutën e 22-të, një sulm i bukur i skuadrës kuqezi, përfundon me gjuajtjen e gabuar të Lenjanit, i cili ishte në fakt, në pozicion jashtëloje. Më pas, Memushaj depërton bukur nga krahu i djtahtë i sulmit kuqezi, por gjuajtja e mesfushorit vlonjat grushtohet nga portieri rumun. Edhe Basha gabon në qendër të mbrojtjes rumune teksa gjuan fluturimthi pas topit të ardhur nga goditja e këndit.
Kjo fitore i shton shpresat e Shqipërisë për të qëndruar në Evropian, si një ndër katër skuadrat e treta të renditura më mirë në grupe. Tashmë duhet pritur përfundimi i ndeshjeve në grupet e tjera për të parë renditjet dhe pikët e skuadrave që pretendojnë të kalojnë në turin e 16-shes. Duhet theksuar se, përtej euforisë, me 3 pikë, një gol të shënuar dhe 3 të pësuar, Kombëtarja varet shumë nga rezultatet e të tjerëve.