AlbanianSport.com 03/01/2019 18:05
ASNN – Në një arenë shumëngjyrëshe që i ngjan një pallati të madh evropian, kalorësit e rinj kinezë marrin pjesë në një shfaqje të jashtëzakonshme me kuaj. Duket sikur je në Britani dhe po parakalojnë shtresat e larta të shoqërisë, por në fakt kjo është periferia e “Shanghai & County Down Club”, klubi i vetëm i anëtarësimit ekskluziv i Kinës për sportet me kuaj. Klubi, u themelua tre vjet më parë dhe pronari Stivën San thotë se hipizmi “është zhvilluar me shpejtësi në Kinë në 5-10 vitet e fundit”.
“Unë mendoj se kjo është një ndryshim në vetëdije,” – tha 32-vjeçari, të cilit interesi për kuajt i erdhi gjatë studimit në Britani. Rritja e numrit të kinezëve që po merren me hipizëm, pasi ekonomia në rritje e vendit, tani e dyta më e madhe pas Shteteve të Bashkuara, u jep njerëzve më shumë të ardhura të disponueshme për të ndjekur aktivitetet e kohës së lirë. “County Down Club” ka një duzinë kuajsh dhe Sani dëshiron që ajo të jetë në krye të promovimit të sporteve të kuajve në Kinë.
Klubi ka rreth 80 anëtarë dhe anëtarësia vjetore nuk është aspak e lirë, sepse kushton plot 8,400 dollarë. “Ne shpresojmë që anëtarët tanë të kenë cilësi dhe sjellje të mira ose të jenë elita shumë të arsimuara, – tha Sani. – Kjo mund të sigurojë që komunikimi midis anëtarëve tanë të jetë në të njëjtin nivel. Një nga përfitimet është që anëtarët tanë mund të takohen duke përdorur këtë platformë dhe të shtyjnë njëri-tjetrin përpara.” Ky sport po lulëzon për dy arsye kryesore.
“Prindërit kinezë e konsiderojnë kalërimin e një edukimi elitar për t’i bërë fëmijët më të shquar në këtë shoqëri shumë konkurruese kineze, – tha Kuin, një tjetër ekspert i cili promovon industrinë kineze të kuajve. – Më shumë se një sport, është një eksperiencë e re për kinezët.” Shoqata qeveritare kineze e kuajve nuk pranoi të jepte numra, por sipas raportit vjetor të revistës “Horsemanship”, ka pasur 1.802 klube të kuajve në Kinë deri në korrik 2018.
Është dyfishi i numrit në vitin 2016, me shumicën në Kinën Veriore dhe Lindore, sidomos në Pekin dhe Shanghai, sipas gjetjeve të revistës.