Gjergj Vyshka 23.05.2016 20:25
Britaniku David Mekperson është fituesi i garës së dytë ndërkombëtare të kërcimit me kuaj, që u zhvillua dje pasdite në Tiranë në aneksin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Në një veprimtari ku merrnin pjesë sportistë jo vetëm nga rajoni, por edhe nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës, britaniku Mekperson, i cili është dhe “kampion” në Britani, arriti të fitojë në fund duelin me gjermanin Marsel Myler e shqiptarin Klodian Allajbeu.
“Do të kemi vazhdimisht gara, do të organizojmë gara mujore, ndërsa do të kulmojë me pjesëmarrjen tonë në Ballkaniadë me 6 shtator në Bukuresht të Rumanisë”, – deklaroi presidenti i Federatës Shqiptare të Hipizimit, Klodian Allajbeu.
“Atje do të marrin pjesë tre kalorës shqiptarë. Ne jemi ndër pretendentët kryesorë”, – shtoi ai. Në garën e parë që u zhvillua në muajin prill fitues doli gjemani Hilman Mejer, ndërkohë që pas tij u renditën bullgari Todorov dhe shqiptari Adriatik Tafani.