AlbanianSport.com 19.08.2015 08:05
ASNN – Në një mbrëmje historike për futbollin shqiptar, Skënderbeu do të zbresë sonte në fushën e blertë të Stadiumit “Elbasan Arena” për t’u ndeshur me Dinamon e Zagrebit, në takimin e parë të vlefshëm për “play-off”-in e Ligës së Kampioneve.
Në fakt, jemi mësuar që himni i Ligës së Kampioneve ta shikojmë vetëm në televizor në mesjavë. Por sonte, kjo melodi, e cila simbolizon nivelin më të lartë të futbollit evropian të klubeve, do të kumbojë si kurrë më parë në një stadium shqiptar.
Kjo sepse kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu, do të synojë të shkruajë historinë. Korçarët kanë arritur në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, ku përballë do të kenë Dinamon e Zagrebit, duke qenë kështu vetëm 180 minuta larg një vendi në fazën e grupeve të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës.
Sido që të shkojë, “kampionia” e Shqipërisë ka edhe një plan “B”, vendin e sigurt në fazën e grupeve të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës. Takimi Skënderbeu-Dinamo Zagreb do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në valët e Radio-Tiranës, në një transmetim të posaçëm.