AlbanianSport.com 02.12.2014 13:25
ASNN – Fitorja në fushë të huaj ndaj Egnatias duket se i ka shërbyer Himarës në të gjitha aspektet. Trepikëshi i marrë në fushë të huaj me Egnatian i ka dhënë më shumë zemër skuadrës dhe ia ka rritur moralin përpara ndeshjes me Turbinën, që skuadra bregdetare do ta luajë në shtëpi këtë fundjavë.
Në një deklaratë të dhënë për gazetat sportive të ditës, sulmuesi i Himarës, Romario Shenaj, do të shprehej: “E kishim theksuar edhe para ndeshjes se ndaj Egnatias do të ishte një takim shumë i fortë, por ne do të marrim 3 pikët. Gjithsesi ajo ndeshje iku dhe ne morëm 3 pikët.”
“Tashmë na duhet të nisim përgatitjet për ndeshjen e radhës, që do ta luajmë në shtëpi ndaj Turbinës, – ka vijuar ai. – Goli? Ia dedikoj familjes dhe skuadrës golin e shënuar ndaj Egnatias. Ishte një gol i rëndësishëm që na dha 3 pikët. Turbina?”
“Natyrisht që është një skuadër për t’u vlerësuar, sepse gjendemi me pikë të barabarta, dhe nuk ka nivelin e Egnatias, pasi është një skuadër shumë më e fortë. Ne do të mundohemi të japim dhe të marrim maksimumin në këtë sfidë të rëndësishme dhe tepër delikate për vazhdimësinë”, – ka përfunduar sulmuesi i Himarës, Romario Shenaj.