AlbanianSport.com 24.10.2014 22:45
Pas pësimit të 10 golave të tjerë nga Skënderbeu në Kupën e Shqipërisë dhe skualifikimit me rezultatin e përgjithshëm 1-20, Himara ka nisur përgatitjet e tij për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Bilisht Sportit. Një ndeshje e cila do të luhet në fushën e kësaj të fundit, ndërsa Himara, në tre javët e para të kampionatit, ka paraqitur një gjendje të mirë, teksa ka grumbulluar 7 pikë.
E gjithçka ka ardhur nga dy fitore, e fundit 1-0 me Orikumin, dhe një barazimi. Dhe duke parë këtë ecuri pozitive, djemtë e Shpëtim Imerajt do të kërkojnë të marrin një tjetër rezultat pozitiv në Bilisht. Duke folur për gazetat sportive të ditës, mesfushori i qendrës i Himarës, vlonjati Kriseld Prifti do të deklaronte: “Natyrisht që humbja me goleadë ndaj Skënderbeut ishte e parashikuar nga ana jonë”.
“Kjo për shumë arsye, pasi ata janë kampionët e Shqipërisë dhe niveli ynë është shumë më poshtë se i tyre, – ka vijuar ai. – Ndaj edhe eliminimi nga Kupa e Shqipërisë prej Skënderbeut nuk mund të diskutohej. E kemi shprehur edhe më parë, Kupa nuk është objektivi ynë. Prioriteti ynë është kampionati dhe synimi ynë është ngjitja në Kategorinë e Parë. Jam i bindur për një rezultat pozitiv ndaj Bilisht Sportit në fushën e këtij të fundit”.