AlbanianSport.com 29.10.2014 16:10
ASNN – Himara pas humbjes që ka pësuar në Bilisht, me rezultatin e thellë 3-0, dje i është rikthyer përgatitjeve për ndeshjen e radhës atë me Gramozin në fushën e vet. E hëna ka qenë pushim absolut për djemtë e trajnerit Shpëtim Imerajt, kurse dje ka nisur stërvitja me intensitet të plotë.
Pritet që në këtë takim skuadra të bëjë edhe autokritikën ndaj Gramozit në shtëpi. Në një deklaratë të dhënë për shtypin sportiv, mbrojtësi i djathtë Anxhelo Metaj do të pohonte: “Humbja në Bilisht na ka shërbyer si një mësim i mirë për të mos i marrë ndeshjet lehtë-lehtë dhe duke mos e nënvlerësuar ashtu siç duhej kundërshtarin.”
“Gjithsesi për atë ndeshje gjithsecili nga ne duhet të mbajë përgjegjësitë e veta për atë disfatë, edhe pse ajo ndeshje iku. Ne tashmë po vijojmë përgatitjet me intensitet në prag të sfidës, që do ta luajmë këtë fundjavë në shtëpi ndaj Gramozit dhe nuk pajtohemi me asnjë rezultat tjetër veç fitores”, – ka përfunduar mbrojtësi i Himarës, Anxhelo Metaj.