AlbanianSport.com 16.12.2014 12:30
ASNN – Humbja e pësuar në Tepelenë këtë fundjavë, me rezultatin minimal 1-0, është hedhur pas krahëve nga skuadra bregdetare, e cila nuk ka qenë dakord me gjyqtarin kryesor të ndeshjes durrsakun Xhenald Rada dhe vendimet e tij. Në një deklaratë të dhënë për gazetat sportive të ditës, lideri i skuadrës himarjote, Anxhelo Meta, do të pohonte: “Edhe tani që po flasim bashkë, ende jam i shokuar nga 11-metërshi i dhënë në favor të Tepelenës nga gjyqtari kryesor Xhenald Rada”.
“Ishte një aksion për vendësit, pra Tepelenën, dhe në një duel shpejtësie mes portierit tonë dhe sulmuesit të tyre mbrojtësi i katërkëndorit tonë del dhe arrin i pari tek topi, – pretendon ai. – Sulmuesi i Tepelenës hidhet mbi portierin, pasi topin nuk e arriti, për mos e dëmtuar dhe rrëshqet më pas, duke u rrëzuar. Dhe u habita kur shikoj gishtin e kryesorit për tek pika e bardhë e 11-metërshit. Kemi zhvilluar një nga ndeshjet tona më të mira, pothuajse gjatë gjithë këtij kampionati”
“Mendoj se nuk është diçka e mirë të të mundë gjyqtari, – ka vijuar Meta. – Nuk i kërkuam asgjë, veçse të mbante drejt. Problemi nuk qëndronte vetëm tek momenti i 11-metërshit, por edhe në disa raste të pastra të skuadrës sonë kryesori bënte ç’të mundej vetëm dhe vetëm për ta ndërprerë aksionin tonë. Madje, në një aksion të pastër për gol, sulmuesi ynë i hap rrugën topit dhe mbrojtësi që bie vetvetiu, pasi nuk u përplas me asnjë, merr faull.”
“Është vërtetë për të ardhur keq, kështu a mund të bëjmë dot përpara? – këmbëngul ai. – A mund të më thotë kush se personalisht se çdo të bëhet, pasi nuk arrij ta kuptoj dhe t’i jap një zgjidhje kësaj çështjeje? Gjithsesi tashmë na duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, e cila është edhe e fundit për fazën e parë të sezonit, atje ku do të presim në shtëpi skuadrën fqinje të Delvinës. Natyrisht që edhe në këtë takim do të kërkojmë të marrim 3 pikët, pasi nuk pajtohemi me asnjë rezultat tjetër veç fitores.”