AlbanianSport.com 23.12.2014 09:35
ASNN – Rasim Hyso është i bindur se, në humbjen e pësuar në shtëpi ndaj Delvinës, ishte gjyqtari kryesor i ndeshjes, durrsaku Xhenald Rada, ai që ka ndikuar drejtpërsëdrejti në këtë disfatë të papritur të Himarës. I kontestuar nga futbollistët dhe tranjneri i Himarës, Shpëtim Imeraj, së bashku me tifozët himarjot për vendimet e tij të njëanshme, Rada, sipas tyre, ka bërë gjithçka që bregdetarët të dilnin të humbur nga kjo sfidë.
Në një deklaratë të dhënë enkas për gazetat sportive të ditës, mbrojtësi i majtë Rasim Hyso do të tregonte: “Nuk arrij ta kuptoj sesi Federata çon një gjyqtar që ka 2 ndeshje radhazi që gjykon të njëjtën skuadër. Gjyqtari durrsak Rada është hera e dytë që na gjykon, ndërsa një javë më parë na arbitroi në Tepelenë, ndërsa ishte ai nismëtari i asaj humbjeje.”
“Dhe tani sërish na ka penalizuar duke mos akorduar katër 11-metërsha që dukeshin hapur në favorin tonë, pavarësisht rasteve të tjera të cilat na ka frenuar, – ka vijuar ai. – Është vërtetë për të ardhur keq kur të mund gjyqtari duke iu referuar këtu që Himara është një skuadër që pretendon të ngjitet në Kategorinë e Parë. Nuk besoj se kjo është diçka e mirë, pasi jo vetëm që na shkatërron ne si ekip, por shkatërron të gjithë kampionatin e Kategorisë së Dytë.”
“I bëj thirrje z. Kastrati që të marrë masa për gjyqtarët si puna e Radës, pasi nëse vazhdohet në këtë mënyrë është shumë e vështirë që këta gjyqtarë të dalin “pa lagur” nga fusha. Këtu e kam fjalën se tifozëria në këto momente nuk mund të përmbahet. Janë ata, gjyqtarët që e bëjnë këtë lojë”, – ka përfunduar futbollisti i Himarës, Rasim Hyso.