AlbanianSport.com 13.10.2014 09:35
ASNN – Himara, edhe pse dje ka qenë e diel, ka vazhduar përgatitjet e saj për derbin me fqinjët e Orikumit në kuadrin e javës së tretë të Kategorisë së Dytë. Në seancën stërvitore, gjithnjë nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Imeraj, kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët, ndërsa ky është një lajm i mirë për skuadrën bregdetare.
Sepse për përballjen me Orikumin, Imeraj jo vetëm që nuk do të ketë mungesa, por dhe do të përzgjedhë formacionin e tij më të mirë për ta bërë Himarën fituese në derbi. Në një deklaratë të dhënë për mediat sportive të ditës, qendërmbrojtësi i Himarës, Redion Guaci do të shprehej optimist.
Prej disa ditësh po stërvitemi me intensitet në prag të derbit me Orikumin, të cilën, për fat të mirë, do ta luajmë në fushën tonë, – ka pohuar ai. – Kemi potencialin e duhur për ta mposhtur kundërshtarin. Luajmë në shtëpi dhe llogarisim vetëm 3 pikët, pasi asnjë rezultat tjetër nuk është i favorshëm për ne.”
“Kemi një skuadër simpatike dhe me ndihmën e tifozerisë sonë të zjarrtë jam i bindur se do t’ia dalim mbanë për të qenë fituesit e këtij derbi”, – ka përfunduar qendërmbrojtësi i Himarës, Redion Guaci.