AlbanianSport.com 11/12/2017 15:05
ASNN – Me përfundimin e fazës së ndeshjeve në grupe, dy veprimtaritë kontinentale, Liga e Evropës dhe Liga e Kampioneve, kanë hedhur të hënën përkatësisht shortin e turit të 32-shes dhe asaj të 16-shes, një fazë kjo, që ndryshe nga ajo e grupeve, është me eliminim të drejtpërdrejt pas dy ndeshjeve, vajtje-ardhje. Sikundër përgjatë këtyre dy sezoneve të mëparshme, edhe ky sezon i Ligës së Evropës po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Prandaj, edhe shorti i turit të 32-shes është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga transmetuesi publik, në kanalin RTSH Sport. Siç dihet, në këtë fazë marrin pjesë 24 skuadrat që u renditën në vendin e parë dhe të dytë në grupet e tyre gjatë fazës së grupeve, të cilat u bashkohen edhe 8 skuadrat që e mbyllën fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve në vendin e 3-të të renditjes.
Midis çifteve të përvijuara nga shorti, spikatin dy duelet gjermano-italiane, ai midis Borusias së Dortmundit dhe Atalantës dhe ai midis Napolit dhe Lajpcigut. Interesante është edhe përballja midis Sëlltikut dhe Zenitit të Shën Pjetërburgut, si dhe ajo midis Crvena Zvezdës dhe CSKA-së së Moskës. I barazpeshuar është edhe dueli midis Lionit dhe Vijarealit.
Sa u përket skuadrave të tjera italiane, Lacio përballet me Steaunë e Bukureshtit, ndërsa Milani me Ludogoretsin e Razgradit. Ndeshjet e para të turit të 32-shes së Ligës së Evropës luhen më 15 shkurt, ndërsa ato të kthimit më 22 shkurt 2018, ndërsa finalja më e madhe e kësaj veprimtaria të klubeve të kontinentit luhet më 16 maj të vitit të ardhshëm në Lion të Francës.