AlbanianSport.com 26.02.2016 13:25
ASNN – Në Nion të Zvicrës është hedhur sot shorti turit të 16-shes të Ligës së Evropës. Midis çifteve bien në sy derbi spanjoll ai midis Atletikos së Bilbaos me Valencian dhe derbi anglez Liverpul-Mançester Junajtid. Kështu, ka një derbi anglez dhe një tjetër spanjoll në këtë fazë të Ligës së Evropës.
Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës nuk i ka kursyer aspak sfidat e mëdha në turin tjetër të veprimtarisë së dytë për nga rëndësia në futbollin evropian të klubeve. Kështu, rivaliteti historik në Premier Ligën angleze spostohet edhe në këtë turne, pasi përballë do të jenë Liverpuli dhe Mançester Junajtid.
Dy skuadrat janë larg emrit të tyre të madh, por triumfi në Ligën e Evropës bëhet i detyrueshëm si i vetmi i mundshëm në një sezon shumë larg pritshmërive. Derbi tjetër i nxjerrë nga shorti i së premtes është i gjithi spanjoll. Atletiko e Bilbaos do të luajë kundër Valencias në dy sfidat e ardhshme evropiane.
Në sfidat e këtij turi, përballë njëra-tjetrës janë vënë këto skuadra:
Atletiko e Bilbaos – Valencian
Liverpul – Mançester Junajtid
Shahtjor Donjeck – Anderleht
Bazel – Sevija
Vijareal – Bajer Leverkusen
Sparta e Pragës – Lacio
Borusia e Dortmundit – Totenhem
Fenerbahçe – Braga
Ndeshjet e para do të luhen në 10 mars, ndërsa të kthimit në 17 mars.