AlbanianSport.com 19.06.2015 12:05
ASNN – Skuadrat e Kategorisë Superiore janë njohur me kalendarin e sezonit të ri futbollistik, 2015-2016. Ndërsa disa ekipe i kanë lënë ende të lirë futbollistët për të kryer pushimet verore, disa klube janë duke kryer merkaton e verës për të plotësuar ato sektorë ku ishin më dobët në sezonin e kaluar, Federata Shqiptare e Futbollit ka hedhur shortin për sezoni e ri futbollistik të Kategorisë Superiore.
Në prani të përfaqësuesve të 10 klubeve pjesëmarrëse në edicionin e 77-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ka drejtuar procesin e hedhjes së shortit. Fillimisht janë përcaktuar numrat 1 dhe 6 për dy skuadrat e kryeqytetit, Partizanin dhe Tiranën për të mos pasur përplasje në ndeshjet që do të luajnë në kryeqytet.
Më pas janë përcaktuar edhe numrat e skuadrave të tjera. Sipas kalendarit në javën e parë do të ndeshen Partizani-Laçi, Flamurtari-Teuta, Vllaznia-Skënderbeu, Kukësi-Bylis dhe Tërbuni-Tirana. Derbi i parë kryeqytetas, Partizani-Tirana, do të luhet javën e 6-të të kampionatit. Përpara hedhjes së shortit sekretari Shulku ka sqaruar faktin se dy klubet që kanë hyrë në Kategorinë Superiore, Bylisi e Tërbuni, nuk janë liçensuar ende.
Ato kanë afat deri në datën 31 korrik për të përmirësuar infrastrukturën sportive dhe kushtet e tjera që kërkon përfaqësimi në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar. Kategoria Superiore e Kampionatit të 77-të nis në datën 22 gusht 2015.