AlbanianSport.com 05.08.2016 12:30
ASNN – Është hedhur sot në mesditë në Nion te Zvicrës shorti për fazën e fundit eliminatore të Ligës së Kampioneve. Dueli më i fortë është ai mes Portos dhe Romës. Të dyja skuadrat do të luajnë përballë njëra-tjetrës për të siguruar një vend në grupet e Ligës së Kampioneve.
Skuadra e Salzburgut, që eliminoi Partizanin do të luajë përballë kroatëve të Dinamos së Zagrebit. Anglezët e Mançester Sitit, të drejtuar tashmë nga Pep Guardiola, do të luajnë ndaj Steauasë së Bukureshtit, kursa Ajaksi i Amsterdamit do të duhet të kalojë surprizën Rostov për tu kualifikuar në fazën e grupeve.
Ndërkohë, shorti vuri përballë dhe duelin franko-spanjoll mes Vijarealit dhe Monakos. Sfidat e tjera të fazës së “play-off”-it Ligës së Kampioneve do të jenë: Ludogorets Razgrad-Viktoria Plzenj, Sëlltik-Hapoel Bir Sheva, FC Kopenhagen-APOEL Nikozia, Dandok-Legia e Varshavës dhe Jang Bojs-Borusia e Mënshegladbahut.
Ndeshjet e para do të luhen më datë 16 dhe 17 gusht ndërsa ato të kthimit më 23 dhe 24 gusht për të përcaktuar dhe 10 skuadrat e tjera që do kualifikohen në fazën e grupeve.