AlbanianSport.com 25.08.2016 18:25
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, ka hedhur të enjten shortin e fazës së ndeshjeve në grupe, ku marrin pjesë 32 skuadra. Të 8 grupet e dala nga ky short kanë favorizuar skuadrat pretendente, duke shmangur përballjet e padëshirueshme midis të mëdhenjve.
Midis grupeve më të barazpeshuar spikat grupi B, ku përballen me njëra-tjetrën Benfika, Napoli, Dinamo e Kievit dhe Beshiktashi. I tillë është edhe grupi E, ku ndeshen CSKA-ja e Moskës, Bajer Leverkuseni, Totenhemi dhe Monako, si dhe grupi G, ku përballen Leister Siti, Porto, Bryzhi dhe FC Kopenhageni.
Çiftet e favoriteve në grupet e tjera janë Paris SG-Arsenal, në grupin A, Barcelona-Mançester Siti në grupin C, Bajern i Mynihut-Atletiko e Madridit, në grupin D, Reali i Madridit-Borusia e Dortmundit, në grupin F dhe Juventus-Sevilja, në grupin H. Ndeshjet e fazës së grupeve nisin në mesjavën e 13-14 shtatorit 2016, për të vijuar përgjatë 4 muajve dhe për t’u mbyllur në mesjavën e 6-7 dhjetorit 2016, nga ku do të dalin edhe 16 skuadrat që do të vazhdojnë më tej.