AlbanianSport.com 15/03/2024 13:00
ASNN – Pasi janë njohur 8 skuadrat që vijojnë më tej betejën për trofeun më prestigjioz të klubeve të Evropës në futboll, teksa janë 3 spanjolle, dy gjermane e dy angleze dhe një franceze, por mungon në 8-tëshe Italia, Holanda e Portugalia, të premten është hedhur në Nion të Zvicrës shorti i Ligës së Kampioneve.
Shorti ka dhuruar supersfida në çerekfinale. Kështu, Real i Madridit-Mançester Siti është një nga finalet e parakoshme të këtij edicioni. Arsenali do të ndeshet me Bajernin e Mynihut, Paris SG-ja do të sfidojë Barcelonën, ndërsa Atletiko e Madrid do të luajë kundër Borusias së Dortmundit.
Ndërkohë, janë përcaktuar edhe përballjet e mundshme të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve. Fituesja e përballjes Atletiko Madrid-Borusia e Dortmundit do të sfidojë fituesen e ndeshjes Reali i Madrid-Mançester Siti. Ndërsa fituesja e sfidës së dyfishtë Arsenal-Bayern i Mynihut do të ndeshet me atë të çiftit Paris SG-Barcelona.
Ndeshjet e para të çerekfinaleve do të luhen më 9 dhe 10 prill, ndërsa ato të kthimit më 16 dhe 17 prill 2024. Gjysmëfinalet e para do të luhen në 30 prill dhe 1 maj, ndërsa gjysmëfinalet e kthimit në 7 dhe 8 maj 2024. Finalja e madhe e Ligës së Kampioneve do të luhet më 1 qershor 2024 në Londër.