AlbanianSport.com 18/08/2021 19:20
ASNN – Telenovela e Herri Kejnit nuk ka përfunduar. Ka ende edhe dy javë deri në mbylljen e merkatos dhe sulmuesi anglez më në fund është kthyer në stërvitjet e Totenhemin, pas pushimeve të tij. Ai duket i zhgënjyer me klubin e tij dhe me Daniel Levin. Kejn dëshiron të nënshkruajë për Mançester Sitin dhe këtë ia bëri të ditur skuadrës së tij që në fund të sezonit të kaluar. Marrëveshja e pashkruar midis të dy palëve nënvizonte se nëse Totenhem nuk fiton një titull ose nuk kualifikohet për në Ligën e Kampioneve, ata do të negocionin një transferim që do të kënaqte të gjithë.
Pavarsisht një fillimi të mirë me Murinjon në stol, Totenhemi u shpërbë dhe nuk arriti asnjërin nga dy objektivat e vendosur për sezonin 2020-2021. Sidoqoftë, situata mbetet pezull pavarësisht përpjekjeve të Mançester Sitit dhe lojtarit për të arritur një marrëveshje. Ekipi i Pep Guardiolës është i gatshëm të ofrojë më shumë se 120 milionë Euro, plus një shumë tjetër në varësi të marrëveshjes, pra deri në gati 150 milionë. Këto shuma nuk janë të mjaftueshme për Levin, i cili e ka çmuar Herri Kejnin në 175 milionë euro (150 milionë stërlina).
Futbollisti 28-vjeçar nënshkroi një kontratë 6-vjeçare në 2018-ën, por, sipas shtypit anglez, ai nuk ka qenë i lumtur në 18 muajt e fundit. Para mosmarrëveshjeve në Evropian dhe duke besuar se kishte dritën jeshile për ta vënë veten në treg, Kejni dha një intervistë në rrjetin e njohur sportiv, “Sky Sports”, ku ai shprehu synimin e tij për t’u larguar nga Totenhemi. Sulmuesi është akoma lojtari më i paguar i klubit, por ai nuk ka fituar një titull gjatë gjithë këtyre viteve, pavarsisht se ishte një nga lojtarët më të mirë në Evropë dhe, ndër të tjera, golashënuesi më i mirë në klub.
Siç është publikuar nga e përditshmja britanike “Daily Mail”, Kejni dhe agjenti i tij janë të zhgënjyer, sepse ata besojnë se Levi ka dështuar në përmbushjen e premtimit të tij për të negociuar largimin e tij dhe kjo ka ndikuar që tifozët e Totenhemit të ndryshojnë mendimin e tyre për sulmuesin anglez, të cilin ata e kanë adhuruar dhe mbrojtur që në fillim. Pengesa tjetër është kthimi në fushë, pasi Totenhem luan këtë të enjte kundër Paços de Ferreiras që korrespondon me përballjen e parë të “play-off”-eve të Ligës së Konferencës.
Megjithëse Kejne është i regjistruar nga Totenhemi, vetë “Daily Mail” ka shpjeguar se nuk ka gjasa që ai të udhëtojë në Portugali me pjesën tjetër të shokëve të tij të skuadrës, kështu që dueli kundër Vulverhemptonit këtë fundjavë është një datë më realiste për të rikthimin e tij në fushë.