AlbanianSport.com 02/06/2020 23:10
ASNN – Do të jetë një short i veçantë ai që do të hidhet për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll në fazën e fundit të Eliminatoreve për “Euro 2022”-shin. Të martën, Federata Evropiane e Hendbollit (EFH) ka njoftuar se shorti për fazën kryesore të Eliminatoreve për “Euro 2022” do të hidhet më 16 qershor, duke nisur nga ora 17:00. Përfaqësueset janë ndarë në 4 vazo për këtë short dhe do të formohen 8 grupe.
Kosova është në vazon e 4-t. Por është parashikuar një përjashtim për Kosovën në short. Përmes shortit fillimisht do të shpërndahen në 8 grupe përfaqësueset e vazos së 3-të. Më pas do të shpërndahen përfaqësueset e vazos së dytë, e më pas edhe ato të vazos së parë. Hapi i katërt i shortit, sipas njoftimit të EHF-së, është caktimi i grupit të Kosovës.
Kosova do të vendoset në njërin grup, por jo në atë ku është Serbia, që është në vazon e dytë. Në hapin e 5-të të shortit, do të bëhet shpërndarja nëpër grupe e 7-të përfaqësueseve tjera të vazos së katërt. Ashtu si UEFA e disa federata të tjera ndërkombëtare, edhe EHF-ja, nuk lejon përballjet mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova ndeshjen e parë do ta luaj më 4 nëntor.