AlbanianSport.com 06.12.2016 10:45
ASNN – Cërriku në hendboll për meshkuj e ka nisur në mënyrën më të keqe kampionatin e ri të sezonit 2016-2017. Djemtë e trajnerit Florian Dedja, edhe pse kanë luajtur në fushën e tyre, janë mundur nga Kombinati, 16-18.
Ka qenë një takim mjaft i bukur dhe emocionues, ku miqtë kanë fituar vetëm në fund të ndeshjes, me dy gola diferencë. Tepër i dëshpëruar ka qenë në fund të takimit trajneri cërrikas Florian Dedja.
Ky i fundit nuk e priste këtë disfatë të pafalshme, pasi kërkonte ta niste me këmbë të mbarë këtë kampionat. Zhvillimi i ndeshjes së parë në Cërrik, i jepte ekipit të Dedjes më shumë përparësi.
Por nuk ia dolën dot, ndonëse kishin dy mungesa të rëndësishme. Në takimin e dytë të kampionatit cërrikasit do të udhëtojnë drejt Vlorës, ku do të përballen atje me djemtë e skuadrës së Ali Demit, që në javën e parë janë mundur 16-30 nga Elbasani.