AlbanianSport.com 05.01.2017 18:45
ASNN – Hendbollistët e përfaqësueses së meshkujve të Kosovës patën forcë t’i bënin ballë Estonisë, vetëm në 5-6 minutat e parë të ndeshjes, kur e rivalizuan me lojë dhe rezultat.
Më pas gjithçka foli për baltikët, të cilët të mërkurën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, e fituan thellë, 31-17, ndeshjen e javës së së tretë të fazës së parë të Eliminatoreve për Evropianin 2020.
Trajneri dhe hendbollistët kosovarë ishin shprehur para sfidës optimistë se kjo ndeshje është shansi i artë për të shënuar fitoren e parë në ndeshje ndërkombëtare. Por, në kërkim të kësaj fitoreje, Kosova u turpërua, duke marrë një mësim.
Ky është cikli i tretë eliminator për Kosovën dhe ajo është ende në pritje të fitores. Suksesi më i madh mbetet barazimi në ndeshjet e kaluar kundër Turqisë. Ndërkohë, ka pësuar edhe një humbje ndaj Turqisë, kurse ndeshjen e fundit të kësaj faze, Kosova e luan të dielën në Polva të Estonisë.