AlbanianSport.com 12.01.2015 14:40
ASNN – Përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Kosovës në hendboll për meshkuj e mbylli fushatën para-eliminatore për Kampionatin Botëror “Brazil 2015”, me tri humbje. Kosova u mposht edhe dje në mbrëmje në ndeshjen e tretë dhe të fundit, teksa është mundur nga Mali i Zi me rezultat 22-26, në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Shani Nushi” në Gjakovë.
Malazezët ishin më të mirë edhe në pjesën e parë, të cilën e mbyllën në avantazhin me tre gola diferencë, 13-10, ndërsa e ruajtën epërsinë edhe në atë të dytë, të cilën e mbyllën në fund me katër gola epërsi. Kosova e Nën-21-vjeçarëve i kishte pësuar dy humbje të tjera në dy ditët e kaluara: fillimisht 21-35 nga Zvicra dhe më pas 21-35 nga Bjellorusia.
Kjo ishte hera e parë që Përfaqësuesja e Kosovës merr pjesë në gara zyrtare si rezultat i pranimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare dhe atë Evropiane të Hendbollit.