AlbanianSport.com 05/06/2018 16:30
ASNN – Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) e ka dënuar Federatën Serbe të Hendbollit (FSS) me gjobë monetare prej 15 mijë eurosh dhe i ka ndaluar organizimin të turneve për skuadra kombëtare të kategorive të moshat për një periudhë prej dy vjetësh. Siç raportojnë mediat serbe, vendimi është marrë për shkak të anulimit të turneut eliminator të muajit mars për të rinj, ku duhet të merrte pjesë edhe ekipi i Kosovës.
Në shpjegimin e vendimit thuhet se Serbia duhet të paguajë menjëherë gjysmën e gjobës, ndërsa gjysma e dytë duhet të paguhet brenda dy vjetësh, periudhë gjatë së cilës FSS-ja do të jetë e “kushtëzuar”. EHF-ja ka njoftuar të ketë marrë parasysh edhe rreziqet e sigurisë të cilat Serbia i ka paraqitur si arsye për anulim të ndeshjes, por ka vlerësuar se ndeshja ka mundur të zhvillohet, dhe se edhe vetë organizmi që qeveris hendbollin evropian i kishte shqyrtuar rreziqet e mundshme të sigurisë.
Serbia ka 7 ditë kohë për të paraqitur një ankesë për këtë vendim. Kosova dhe Serbia duhet të përballeshin në Kovilovë më 23 mars të këtij viti, por, me vendim të ministrit të Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç, ndeshja u anulua për shkak të “arsyeve të sigurisë”. Përfaqësuesja e Nën-20-vjeçareve të Kosovës në hendboll për femra e kishte fituar me rezultat zyrtar, në tavolinë, ndeshjen ndaj Serbisë.