AlbanianSport.com 28/10/2018 22:35
ASNN – Ka përfunduar gara e Çmimit të Madh të Meksikës dhe fituesi është piloti Maks Verstapen. Piloti i “Red Bull”-it bëri një garë të shkëlqyer sot duke lënë pas emrat e mëdhenj të Formula 1. Feteli nuk ka arritur të shkojë më shumë se vendi i dytë në këtë garë, ndërsa ajo që bie në sy është vendi i 4-t për pilotin e “Mercedesit”, Ljuis Hemilton. Megjithatë nuk i ka prishur aspak punë ky pozicionim pasi ai është shpallur për herë të 5-të “kampion bote” në Formula 1.
Kështu ai barazon argjentinasin Fangio dhe është vetëm 2 tituj larg Mikael Shumakerit. Nuk ishte një garë e mirë për pilotin anglez të “Mercedes”-it, megjithëse arriti të parakalonte Riçiardon pas një starti të keq të pilotit të “Red Bull”-it. Hemiltoni kishte probleme me gomat dhe është detyruar të futet në “bokse” që në xhiron e 12-të, piloti i parë i garës që e bën këtë gjë. Kundërshtarët e tjerë, përfshi “Ferrarin”, futen pak më vonë.
Të gjithë pilotët kanë qenë të pakënaqur me gomat gjatë kësaj gare dhe vetë Hemiltoni është dëgjuar disa herë të thotë se po vuante në radio. Në xhiron e 39-të, Feteli e parakalon britanikun, i cili vazhdonte të kishte probleme me gomat. Sidoqoftë, pak xhiro më pas ai futet për “pit-stopin” e fundit dhe pozicionohet në vend të 5-të pas dyshes së “Ferrarit”, ndërsa dyshja e “Red Bull”-it kryeson garën. Riçardo në vendin e dytë detyrohet të lërë garën 10 xhiro para fundit për shkak të një problemi me motorin.
Verstapeni mbetet në vend të parë, i ndjekur Feteli dhe Raikoneni, me Hemiltonin pas tyre në vend të katërt. Pozicionet nuk ndryshuan deri në fund dhe Ljuis Hemiltoni është “kampion bote”.