AlbanianSport.com 17/10/2018 09:45
ASNN – KF Shkodra alarmon FSHF-në dhe tre klube në Itali, kërkon pagesën e solidaritetit për Elseid Hysajn. Pas rastit “Guri”, ku klubi i KF Shkodrës kërkon që të marrë 2% të shumës së transferimit si klubi mëmë, të njëjtën gjë ky klub e kërkon edhe për Elseid Hysajn, të cilin e kanë pasur lojtar të tyre në moshë fare të njomë për tetë vjet me radhë.
Referuar deklarimeve që kanë bërë zyrtarët e klubit shkodran të cilët i citon e përditshmja “Panorama Sport”, po përgatitet një dosje që do t’i shkojë FSHF-së dhe tre klubeve italiane për të sqaruar situatën e lojtarit, sepse klubi mëmë, pra KF Shkodra, nuk ka përfituar ende asnjë kacidhe nga transferimi i futbollistit. Tre klubet italiane që kanë pasur kontakt me Hysajn janë Fiorentina, Empoli dhe Napoli.
Në fillim Hysaj ka shkuar te Fiorentina dhe ka qëndruar një vit, por nuk ka firmosur kontratë. Më pas ka kaluar te Empoli ku ka qëndruar disa vite. KF Shkodra nuk e ka ditur si funksionon kjo çështje dhe nuk ka bërë kërkesë, duke djegur etapat e marrjes së fondit të solidaritetit. Më pas futbollisti kalon te Napoli ku ka arritur në nivele të larta, por klubi mëmë, që e ka stërvitur Hysajn 8 tetë vjet, nuk ka përfituar ende asgjë prej tij.
Por situata ka marrë një kthesë të papritur. Klubi i Shkodrës pretendon se ka gjetur një dokument ku Empoli bën një pagesë në FSHF prej 50 mijë eurosh, që dyshohet se kanë të bëjnë me Hysajn. Presidenti i klubit Taip Piraniqi, thotë se kësaj çështjeje do t’i shkojë deri në fund, në mënyrë që Empoli, ose Napoli, të paguajnë tarifën që buron nga rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s për faturën e solidaritetit që i jepet klubit mëmë.
Sepse klubi disponon dokumentet që Elseid Hysaj është stërvitur 8 vjet me KF Shkodrën. Situata duket e ndërlikuar, pasi etapat janë djegur dhe klubi nuk mund të fitojë nga UEFA dhe FIFA që rregulloret i kanë të qarta, por klubi i Shkodrës ka deklaruar se do ta ndjekë çështjen me padi në gjykatat italiane. Deri kur e drejta e klubit të gjejë zgjidhje.
Madje Piraniqi deklaron se nuk është vetëm Hysaj, por edhe lojtarë të tjerë si Guri, Hebaj dhe Vajushi që kanë dalë nga klubi i KF Shkodrës, i cili t’u kërkojë klubeve ku luajnë të paguajnë faturën e solidaritetit. Nëse kjo situatë merr zgjidhje, sado r ndërlikuar dhe hipotetike të duhet, atëherë KF Shkodra do të mbushte arkat e saj dhe do të prodhonte edhe më shumë talente.