AlbanianSport.com 25/12/2018 17:10
ASNN – Kur mbeten dhe pak ditë nga nisja merkatos së dimrit, klubet janë hedhur në aksion për të marrë lojtarë cilësorë që përmbushin objektivat e tyre. Në kushtet kur klubet vetë nuk kanë kapacitete financiare për të bërë blerje të shtrenjta brenda apo jashtë vendit, po tentohet t’i rrëmbejnë lojtarët klubeve rivale, me objektiv të dyfishtë: përforcim për pjesën e dytë të sezonit dhe shkatërrim të kundërshtarit. Dihet që “viktimë” në merkaton e dimrit janë klubet që kanë buxhet të kufizuar, vuajnë nga kriza financiare apo dhe ekipet e fundtabelës që rrezikojnë rënien.
Një skuadër që rrezikon është edhe Kamza, e cila ndodhet në vend të parafundit me 15 pikë, dy më pak se Tirana dhe Luftëtari që janë në zonën e rrezikshme me 17 pikë. Kamza po përpiqet të mbajë të bashkuar grupin dhe duke besuar në aftësitë tekniko-taktike të trajnerit Ernest Gjoka, duke shpresuar si përfundim të qëndrojë në Superiore. Por sot ka ardhur një deklaratë e çuditshme e klubit të Kamzës. Teksa jepet informacioni që Ilir Avdyli ka rinovuar kontratën me Kamzën, klubi mban një qëndrim të çuditshëm rreth merkatos në tërësi.
Edhe pse thuhet se asnjë lojtar i Kamzës nuk është i lirë në treg, vetë klubi shton në fund se “interesimet duhet të adresohen tek dera e duhur”. “Ilir Avdyli rinovon kontratën me skuadrën tonë, – shkruhet në njoftimin e klubit të Kamzës, – ndërkohë që i bëjmë thirrje mediave dhe klubeve të tjera se të gjithë lojtarët e tjerë që lakohen në media janë në kontratë me klubin tonë. Kamza nuk është një “supermarket” i hapur për të gjithë. Për çdo interesim do t’iu luteshim që sipas rregullave të “trokasin” në dyert tona”. Deklaratë më të çuditshme se kjo vështirë se mund të gjesh.
“Edhe s’kemi, edhe trokisni në derën tonë”, janë sinjale që Kamza i do lëvizjet, por ka frikë se mos i boshatiset skuadra për pjesën e dytë të sezonit. Ekipe si Partizani, Kukësi dhe Laçi janë gati të bëjnë sakrificë financiare për objektivat e tyre, kështu që Kamza mund të jetë një “pre” i lehtë.