AlbanianSport.com 23.10.2014 16:50
ASNN – Ka shënuar një gol të rëndësishëm, madje historik, dhe ka vijuar të festojë në një mënyrë të veçantë, festim ky që ka marrë vlera të veçanta në kontekstin politik që po kalon Ballkani pas ndërprerjes së ndeshjes Serbi-Shqipëri.
Pajtim Kasami ka shënuar golin e fitores së skuadrës së tij, Olimpiakosit, dhe për pas zbuluar arsyen pse festoi me shqiponjë pas golit kundër Juventusit. Heroi i Olimpiakosit deklaroi se familjen e ka shqiptare dhe për një fakt të tillë ai e bëri me duar shqiponjën dykrenore.
“Prindërit e mi, vëllai im dhe motra ime kanë lindur në Strugë, janë shqiptarë dhe kjo është arsyeja pse e bëra simbolin e Shqipërisë”, – u shpreh Kasami për mediat greke pas ndeshjes.
“Unë kam lindur në Zyrih dhe luaj me përfaqësuesen e Zvicrës dhe kjo është arsyeja pse në këpucën time kam flamurin e tyre”, – shtoi më tej Pajtimi.
Ajo që duhet theksuar është se përkundër rastit të Ergys Kaçes, mediat greke dhe opinioni publik janë treguar dashamirëse ndaj shqiptarit të Zvicrës, mbase edhe për shkak të rëndësisë së fitores së Olimpiakosit.