AlbanianSport.com 08/12/2018 21:10
ASNN – Vazhdon Kupa e Shqipërisë në Volejboll për Meshkuj dhe Grupi A është shndërruar në një formalitet të Vllaznisë dhe Partizanit, ndërsa në grupin B janë 4 ekipe në garë për gjysmëfinalen. Sa i takon grupit A, ku bëjnë pjesë skuadrat e Vllaznisë, Elbasanit, Skënderbeut dhe Partizanit, në të dy ditët, janë regjistruar fitore të pastra të skuadrave “pritëse”, me rezultat të thellë 3-0.
Siç dihet, ndeshjet e këtij grupi zhvillohen në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” dhe diferencën e kanë bërë dy skuadrat më të forta të grupit, Partizani e Vllaznia, që janë dhe të kualifikuarat e mëtejshme. Në ditën e parë, të premten, Vllaznia mundi Elbasanin 3-0, kurse Partizani mundi Skënderbeu po 3-0. Ndërsa të shtunën, shkodranët fituan po me rezultat të thellë 3-0, sikurse dhe Partizani mundi Elbasanin 3-0.
Në të gjitha rastet, epërsia e skuadrave të Vllaznisë dhe Partizanit ishte e dukshme, pasi edhe në setaverazh shifrat kanë diferenca të mëdha. Të dielën do të luhen ndeshjet për vend të parë në grup dhe në këtë kuadër do të përplasen Vllaznia e Partizani, në orën 17:00, kurse në orën 15:00 Elbasani do të përballet me Skënderbeun për vendin e tretë në grupin A.
Është e qartë tashmë se në këtë grup nuk ka pikëpyetje sa i përket kualifikimit, pasi si Vllaznia ashtu dhe Partizani do të jenë në fazën gjysmëfinale. Në këtë grup e vetmja enigmë është cila skuadër do ta mbyllë në vend të parë dhe në këtë kuadër të dielën në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” të Elbasanit pritet të ketë një super-ndeshje.
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Meshkuj
Grupi A
Dita e parë, 7 dhjetor 2018:
Vllaznia – Elbasani 3-0
(25-14, 25-14, 25-18)
Partizani – Skënderbeu 3-0
(25-21, 27-25, 26-24)
Dita e dytë, 8 dhjetor 2018:
Vllaznia – Skënderbeu 3-0
(25-16, 26-24, 25-20)
Elbasani – Partizani 0-3
(18-25, 21-25, 13-25)
Dita e 3-të, 9 dhjetor 2018:
Elbasani – Skënderbeu (15:00)
Partizani – Vllaznia (17:00)