Adriatik Balla 27.05.2015 17:05
Ish-futbollisti dhe drejtuesi i Vllaznisë, analizon garën dhe pritshmëritë e klubit shkodran. Grima: Trukimet nuk i lufton dot Prokuroria, duhet t’i heqim ndeshjet nga bastet. Kampionati mbylli të premten edicionin e tij të radhës, duke nxjerrë kampionin e vet, Skënderbeun, si dhe duke konfirmuar skuadrat që do të marrin pjesë në Ligën e Evropës. Po kështu, dy ekipe ranë nga kategoria (Apolonia dhe Elbasani), ndërsa të tjerat në mestabelë bënë “udhëtime të këndshme” në Superiore, pa pasur ndonjë objektiv, sepse dolën shpejt nga gara e pretendimeve për titull e po kaq shpejt siguruan mbijetesën në një formulë të çuditshme kampionati.
Një ndër këto skuadra, Vllaznia, ishte e privilegjuar në këtë drejtim, pasi nuk rrezikoi në asnjë moment të binte një kategori më poshtë, por edhe me mundësitë që kishte justifikoi mestabelën. Duke folur për ecurinë e skuadrës këtë sezon dhe pritshmëritë e saj, zyrtari i Vllaznisë dhe njëherësh ish-portieri i skuadrës shkodrane, Armir Grima, justifikoi plotësisht ekipin, duke thënë se mundësitë ishin të kufizuara. Por Grima është optimist për të ardhmen, duke përmendur suksesin e Akademisë së Vllaznisë, si një fidanishte e vërtetë e prodhimit të elementëve të talentuar, që për hir të së vërtetës Shkodrës nuk i kanë munguar.
Grima flet dhe për sezonin në përgjithësi, problemet e kampionatit dhe pritshmëritë e Kombëtares për ndeshjen me Serbinë, ku në Shkodër ka nisur puna për rikonstruksionin e “Loro Boriçit”. Në intervistën e dhënë për të përditshmen shqiptare, “SOT”, nuk mungoi dhe një propozim për një debat të gjerë që zhvillohet në futbollin shqiptar e që ka të bëjë me trukimin e ndeshjeve. Për Grimën, Prokuroria nuk mund të bëjë më shumë, dhe ai propozon si masë parandaluese që ndeshjet tona të hiqen nga kompanitë e basteve.
AlbanianSport.com ju sjell këtu sot pjesën e 4-t dhe të fundit të kësaj interviste, ndërsa pjesa e parë ishte të dielën, e dyta të hënën, dhe e treta të martën.
… Vijon nga dje
– Meqë në Shkodër po punohet për një stadium ku do të luajë ekipi kombëtar, si dashamirës i ekipit kuqezi dhe njohës i futbollit, si e shihni të ardhmen e ekipit të De Biazit?
– Kombëtarja ka përcjellë emocione në këto eliminatore dhe ka një ecuri pozitive. Trajneri De Biazi ka punuar shumë mirë dhe për mendimin tim ka bërë një punë të madhe me afrimin e shumë lojtarëve të rinj. Ai ka sot 30 lojtarë që mund të zgjedhë për formacionin titullar dhe fakti që ka shumë të rinj në mesin e tyre, i jep një interes të veçantë ekipit. Parë në këtë drejtim, mendoj se skuadra përfaqësuese ka të ardhme. Dhe garancia janë siç thamë baza e lojtarëve të rinj. Për mendimin tim Kombëtarja është “qershia mbi tortë” e futbollit tonë. Kjo Kombëtare na ka surprizuar, pasi ka arritje të mëdha. Ndryshon nga herët e shkuara, ku ndeshjet me ekipet e të fortëve nuk mendoheshin dot se mund t’i fitonim, kurse kjo Kombëtare jep garanci se mund të fitosh dhe me të mëdhatë, siç ndodhi me Portugalinë e në ndeshje të tjera. Unë mendoj se kemi shanse reale për kualifikim.
– Kam një pyetje të fundit. Meqë Kryeministri e ka vendosur vetë, madje pa pyetur as federatën, që ndeshja me Serbinë të luhet në Shkodër, qoftë dhe për faktin se pritet të jetë një ndeshje e nxehtë, çfarë e bën të veçantë “Loro Boriçin” dhe Shkodrën për ta pritur këtë takim?
– Së pari, unë mendoj se kryeministri e njeh mirë harmoninë fetare, por edhe me komunitetin e vogël malazez, si dhe kulturën qytetare të Shkodrës dhe jo rastësisht ai vendosi që ndeshja të luhet këtu. Do të jetë një ndeshje ku më shumë se çdo gjë tjetër ne duhet të tregojmë se sporti nuk duhet ngatërruar me politikë dhe ne nuk duhet kurrsesi të sillemi si kundërshtari ynë në Beograd. Është e gabuar të mendohet e kundërta. Sporti përcjell mesazhe paqeje e respekti dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë ndeshje për të përcjellë vlerat tona më të mira. Është në interesin tonë dhe sidomos të Kombëtares, që gjithçka të shkojë mirë në atë ndeshje, duke uruar që “Loro Boriçi” do të jetë gati për këtë takim të veçantë dhe emocionues.