Adriatik Balla 26.05.2015 18:00
Ish-futbollisti dhe drejtuesi i Vllaznisë, analizon garën dhe pritshmëritë e klubit shkodran. Grima: Trukimet nuk i lufton dot Prokuroria, duhet t’i heqim ndeshjet nga bastet. Kampionati mbylli të premten edicionin e tij të radhës, duke nxjerrë kampionin e vet, Skënderbeun, si dhe duke konfirmuar skuadrat që do të marrin pjesë në Ligën e Evropës. Po kështu, dy ekipe ranë nga kategoria (Apolonia dhe Elbasani), ndërsa të tjerat në mestabelë bënë “udhëtime të këndshme” në Superiore, pa pasur ndonjë objektiv, sepse dolën shpejt nga gara e pretendimeve për titull e po kaq shpejt siguruan mbijetesën në një formulë të çuditshme kampionati.
Një ndër këto skuadra, Vllaznia, ishte e privilegjuar në këtë drejtim, pasi nuk rrezikoi në asnjë moment të binte një kategori më poshtë, por edhe me mundësitë që kishte justifikoi mestabelën. Duke folur për ecurinë e skuadrës këtë sezon dhe pritshmëritë e saj, zyrtari i Vllaznisë dhe njëherësh ish-portieri i skuadrës shkodrane, Armir Grima, justifikoi plotësisht ekipin, duke thënë se mundësitë ishin të kufizuara. Por Grima është optimist për të ardhmen, duke përmendur suksesin e Akademisë së Vllaznisë, si një fidanishte e vërtetë e prodhimit të elementëve të talentuar, që për hir të së vërtetës Shkodrës nuk i kanë munguar.
Grima flet dhe për sezonin në përgjithësi, problemet e kampionatit dhe pritshmëritë e Kombëtares për ndeshjen me Serbinë, ku në Shkodër ka nisur puna për rikonstruksionin e “Loro Boriçit”. Në intervistën e dhënë për të përditshmen shqiptare, “SOT”, nuk mungoi dhe një propozim për një debat të gjerë që zhvillohet në futbollin shqiptar e që ka të bëjë me trukimin e ndeshjeve. Për Grimën, Prokuroria nuk mund të bëjë më shumë, dhe ai propozon si masë parandaluese që ndeshjet tona të hiqen nga kompanitë e basteve.
AlbanianSport.com ju sjell këtu sot pjesën e 3-të të kësaj interviste, ndërsa pjesa e parë ishte të dielën dhe e dyta të hënën, ndërsa nesër do të jetë edhe pjesë e 4-t dhe e fundit.
… Vijon nga dje
– Desha një mendim për kampionatin. Thuhet shpesh në media se kampionati i sivjetmë ishte nga më të mirët. Për ju personalisht, çfarë cilësie kishte ky kampionat?
– Unë mund të them se ishte një nga më të mirët e viteve të fundit. E them këtë sepse gara për titull u luajt deri në javët e fundit. Madje gara për pjesëmarrje në Ligën e Evropës vijon ende dhe kjo e bën një sezon pozitiv. Në këndvështrimin tim, ky ishte kampionati më i mirë në 4-5 vitet e fundit. Mos harrojmë, nuk ishte Skënderbeu si gjithnjë pretendent absolut, pasi Kukësi, Tirana e Partizani ishin deri në javët e fundit rivalizues të fuqishëm. Parë në këtë kuadër, mund të shtoj se pati më shumë rivalitet dhe kur ka rivalitet ka më shumë emocion dhe, natyrisht, gara është më e fortë.
– A mendoni se gara prodhoi një renditje të drejtë?
– Skënderbeu fitoi titullin “kampion” dhe unë nuk dyshoj se ishte më i miri, pra e meritoi. Edhe ekipet e tjera morën atë që dhanë. Në tërësi mund të them, dhe e besoj, që secila skuadër mori atë që meritoi. Ishte një klasifikim i drejtë për atë që dhanë skuadrat në fushë.
– Jo gjithçka shkon mirë. Ju e dini që trukimet janë problem në futbollin tonë. Dhe nuk gjendet zgjidhja. Ka një komision etike në FSHF, por që nuk ka bindur me vendimet e veta. nuk ka bindur me vendimet e veta. Prokuroria, megjithë përpjekjet e UEFA-s, s’po bën gjë. A është Vllaznia e përfshirë dhe si e mendoni zgjidhjen?
– Ky është një problem serioz jo vetëm tek ne, por zgjidhje mund të ketë, të paktën për ta minimizuar fenomenin. Mendoj se fenomeni këtu ka qenë më shumë për individë të caktuar, jo për klubet. Mua më takon të flas për Vllazninë dhe skuadra jonë nuk është përfshirë. Raportet e ardhura nga UEFA në federatë nuk kanë gjë të pistë për Vllazninë, pra ekipi ynë nuk përflitet nga UEFA për trukim. Sa i takon Prokurorisë, mendoj se ajo nuk mund ta zgjidhë këtë problem, e ka të pamundur ta zbardhë. Por fenomeni mund të luftohet, duke i hequr ndeshjet tona nga kompanitë e basteve.
– Kjo duket e tepërt, sepse kompanitë kanë logjikën e tyre. A është propozimi juaj një zgjidhje afatgjatë?
– Kjo gjë duhet të diskutohet, sigurisht, por unë e shoh si një zgjidhje heqjen nga bastet të ndeshjeve tona. Rrugët e tjera i shoh të vështira.
Vijon nesër…