AlbanianSport.com 13/04/2020 18:50
ASNN – Natyrisht që, në pamje të parë, mund të konsiderohet si një masë e tepruar, apo edhe si një mision i vështirë, duke patur parasysh për numrat për të cilët bëhet fjalë, por Federata e Futbollit të Italisë (FIGC) shpreson që lojtarët të mund të testohen për koronavirusin në deri fillim të majit dhe të përgatiten kështu të shëndetshëm dhe par rrezikuar të tjerët, për rinisjen e sezonit.
Presidenti i organizmit që qeveris futbollin në gadishullin e Apenineve, Gabriele Gravina, ka garantuar se të gjithë futbollistët, që luajnë në të gjitha kategoritë e futbollit italian, po testohen, nëse janë apo jo të prekur nga pandemia Koronavirus. Ai konfirmoi se, deri në fund të muajit, të gjithë futbollistët do të jenë testuar dhe, vetëm pasi të rezultojnë të gjithë negativë, do të rifillojë stërvitja, e më pas gradualisht edhe futbolli.
“Objektivi ynë parësor është testimi i të gjithë futbollistëve për COVID-19, – ka deklaruar Gravina, duke folur për Agjencinë e Lajmeve “Reuters”. – Deri në fund të muajit, të gjithë do të jenë testuar dhe vetëm në muajin maj, mund të rifillojë stërvitja. Objektivi ynë i dytë është të rifillojmë sezonin futbollistik, por vetëm pasi të garantohet siguria e të gjithë futbollistëve dhe stafit të klubeve.”
Niveli më i lartë i Kampionatit Italian të Futbollit, Seria A, është pezulluar që nga 9 marsi për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe ende nuk është e qartë se kur do të rinisë sezoni aktual, teksa kanë mbetur edhe 12 javë deri në mbyllje të tij. Italia është një nga vendet që është goditur më rëndë nga epidemia e “COVID-19”, pasi janë raportuar afro 20,000 të vdekur dhe mbi 156,000 të infektuar.
Janë raportuar se janë infektuar edhe lojtarë të disa klubeve. Ndërkohë, për duke folur për “Sky Sport Italia”, Presidenti i FIGC-së, Gabriele Gravina ka thënë se është i vendosur që sezoni të mbyllet, pavarsisht se si do të arrihet kjo. “Në momentin kur kushtet të jenë të duhura, do ta përfundojmë kampionatin, – ka thënë ai. – Së shpejti, do të ketë një takim, ku do të caktojmë procedurat.”
“Ne do të kemi mbaruar, shpresoj, në fillim të majit me testet për të siguruar që lojtarët të dalin negativ dhe të vazhdojnë stërvitjet, – ka vijuar kreu i futbollit italian. – A do të luajmë gjatë verës? Nuk do të kemi një afat përfundimtar, ideja është të përfundojmë kampionatin.” Disa klube e kanë kundërshtuar idenë për të vazhduar kampionatin, përfshirë edhe Breshian. Presidenti i saj, Masimo Celino ka kërcënuar me bojkotim të ndeshjeve.