AlbanianSport.com 28.05.2015 18:05
ASNN – Lojtarët shqiptarë kanë bërë një sezon mjaft pozitiv, duke qenë madje të kërkuar nga klube serioze evropiane. Një pjesë janë zgjedhur në formacionin më të mirë të kampionateve përkatës.
Kështu, mesfushori kosovar i Borusias së Mënshengladbahut, Granit Xhaka, ka zënë vend në formacionin më të mirë të edicionit 2014-2015 të Bundesligës së parë gjermane.
Në një votim në Internet, ku kanë marrë pjesë mbi 400 mijë lexues të faqes zyrtare të kampionatit gjerman, “Bundesliga.de”, Xhaka ka zënë vend në 11-shen më të mirë të këtij sezoni.
Në 30 ndeshje që ka zhvilluar, 22-vjeçari Xhaka, ka shënuar edhe dy gola dhe ka dhënë pasimin e fundit për një të tretë. Me Mënshengladbahun, ai ka arritur të sigurojë kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve edicionin e ardhshëm.