AlbanianSport.com 26.09.2014 15:15
ASNN – Edhe pak ditë kanë mbetur nga fillomi i sezonit futbollistik dhe Gramshi ka arritur akordin me lojtari me eksperiencë Rajmond Shala. Si pasojë e disa problemeve, Shala këtë vit kishte ngelur pa ekip dhe gramshiotët u hodhën menjëher në sulm për të siguruar shërbimet e lojtarit. Qendërmbrojtësi ka luajtur për disa ekipe në Kategorinë Superiore dhe ka një eksperiencë mjaft të gjatë në to, prandaj cilësohet si një lojtarë mjaft i mirë për skuadrën.
Pas disa ditësh në provë, trajneri Metani vendosi që Shala të jetë pjesë e ekipt dhe të japë kontributin e tij për të ecur sa më lart. Shala shprehet se tek Gramshi mbizotëron një atmosferë pozitive dhe të gjithë shpresojnë se ky do të jetë sezoni i tyre. “Ka shumë lojtarë të rinj në ekip dhe po funksionojnë më së miri me njëri-tjetrin dhe do të japin një rezultat shumë të mirë në fushë, – ka thënë ai. – Skuadra stërvitet vazhdimisht dhe është në formë shumë të mirë fizike, çdo gjë ecën për së mbari dhe të gjithë lojtarët kanë firmosur kontratat dhe është përcaktuar rroga e tyre.”
“Por të gjithë, në rast fitoreje, mund të përfitojnë edhe premio, – ka vijuar Shala. -Gramshi këtë vit padyshim kërkon ngritjen në kategori, pasi edhe një vit më parë e humbi këtë shans ndeshjet e fundit dhe ka qenë e dhimbshme për të gjithë. Formatimi i ekipit është bërë rrënjësor dhe ka shumë lojtarë që kanë ardhur nga Tirana e nga ekipe të tjera, po ashtu edhe trajneri është i ri me plane të qarta, të cilat duket se po japin rezultate që javët e para të stërvitjes e në miqësoret e zhvilluara.”
“Objektivat dhe detyrat që më ka dhënë trajneri janë shumë të qarta, ndërsa ajo që mbetet në dorën time tani është të jap maksimumin në fushë. Ne duhet të bëjmë realitet ëndrrën e Kategorisë së Parë e më pas të shpresojmë Kategorinë Superiore. Projekti i skuadrës është afatgjatë dhe shpresojmë ta realizojmë”, – ka përfunduar “blerja” më e fundit e Gramshit, Rajmond Shala.