AlbanianSport.com 23.09.2014 11:35
ASNN – Skuadra e Gramshit, e drejtuar nga tiranasi Luan Metani është gati për të filluar kampionatin e Kategorisë së Dytë. Gramshi ka shlyer çdo detyrim në FSHF dhe tashmë shtyrja e kampionatit shërben si një stërvitje normale për ekipin. Tek gramshiotët pati një mori lojtarësh këtë vit të paktën deri në provë, pasi trajneri i ri, Luan Metani, që mori ekipin riformatoi pothuajse të gjithë ekipin duke sjellë rreth 15 futbollistë. Por baza e formacionit duket se sërish do të jetë me lojtarë ekzistues, ndërsa ditët që ekipi kaloi në Pogradec, në fazën përgatitore, i shërbyen më së miri, pasi u konfirmuan lojtarët që do të qëndronin në ekip dhe u arrit një njohje e mirë mes futbollistëve për mënyrën e të luajturit me njëri-tjetrin.
Gramshi do të jetë një kundërshtarë i fortë këtë sezon dhe synimi i tyre është të kalojnë në Kategorinë e Parë, pasi çdo repart është i kompletuar e forma fizike lojtarëve është për t’u admiruar. Në startin e kampionatit, Metani do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, pasi nuk ka asnjë të dëmtuar. Që do të thotë se të gjithë janë gati për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Skuadra ka gjetur mbështetje të mirë nga Bashkia, kurse atyre nuk u mungon asgjë nga baza materiale dhe nuk do të ketë probleme me pagat e lojtarëve.
Po ashtu edhe infrastruktura e stadiumit është e mirë, kurse tani pritet vetëm të vendoset data se kur gramshiotët do të kenë përballë kundërshtarin e parë në këtë fillim kampionati. Atmosfera është e kënaqshme tek të gjithë dhe synimi kryesorë është që të mos dalin nga asnjë ndeshje pa pikë. Lojtarët shprehen se do të luftojnë në çdo ndeshje sikur të jetë një finale, pasi të tilla janë takimet në Kategorinë e Dytë. E vetëm kështu mund të arrijnë objektivin e tyre, që është ngjitja në Kategorinë e Parë.