AlbanianSport.com 30.10.2014 20:35
ASNN – Gramshi është ekipi që po shfaq formën më të mirë në grup. Kjo skuadër ka grumbulluar plot 10 pikë dhe ndodhet në vendin e parë në zonën e Jugut. Ekipi është në formë mjaft të mirë dhe trajneri Metani po bën punë të palodhshme me çunat e ekipit. Forma e mirë e sulmit po bën që ata të shënojnë shumë gola, por është për t’u vlerësuar edhe mbrojtja, e cila shumë pak ka lejuar të preket porta e Gramshit.
“Gardiani” i portës, Xhuljo Çela, po bën punë të shkëlqyer, duke arritur të bllokojë shumë topa, që mund të shndërroheshin në gola nëse aftësitë e tij nuk do të ishin të përkryera. Duke për gazetat sportive të ditës, Çela do të deklaronte: “Jemi në formë mjaft të mirë fizikisht dhe moralisht, ndërsa fitoret të japin kurajën për të kërkuar më shumë dhe të jesh në vend të parë kënaqësi e veçantë.”
“Po funksionojmë mjaft mirë si grup dhe kemi një harmoni të admirueshme brenda grupit, – ka vijuar ai. – Personalisht jam duke dhënë maksimumin e mundshëm, por javët kalojnë dhe jam duke u përmirësuar edhe më shumë. Ka shumë konkurrencë në grup dhe kjo na bën të luftojmë më shumë për të qëndruar në formacion. Trajneri Metani po bën një punë për t’u vlerësuar dhe shikon nga afër çdo lojtar, por besoj se punën e tij të palodhshme po ia shpërblejmë në fushë”.