Gjergj Vyshka 28/11/2014 16:50
Kategoria e Tretë nuk është duke kaluar në qetësi të plotë, edhe pse është vetëm java e dytë e kampionatit të sezonit 2014-2015. Pikërisht ata që janë ankuar për lojë të rëndë të kundërshtarit, apo dhe për gjykim të njëanshëm deri në marrje ryshfeti nga fituesit, janë futbollistët e Golemit. Pikërisht për ndeshjen me Jehonën e Kozarës, fituar nga kjo e fundit 2-0, drejtuesit e Golemit në faqen e tyre në “Facebook” do të deklaronin: “Skuadra jonë e ka dominuar ndeshjen gjatë gjithë 90 minutëshit, ndërsa ka përballuar me sukses shkelmat e kundërshtarit, por dhe vendimet e njëanshme të gjyqtarit”.
“Në përfundim të ndeshjes njëri nga gjyqtarët na ka thënë: “Në fushë luajtët shkëlqyeshëm, por jashtë saj ishit dobët”, – kanë vijuar bregdetarët. – Dhe ajo që nënkuptojmë është fakti se gjyqtarët janë paguar 100 mijë lekë të vjetra për t’i dhënë fitoren Jehonës së Kozarës. Kanë dhënë faulle dhe kartonë ndaj nesh, ndërsa kulmi i ndeshjes ka ardhur në pësimin e golit. Dy lojtarë i janë futur spërkatë futbollistit tonë, të cilin e kanë dëmtuar, ndërsa gjyqtari ka vazhduar lojën dhe ata shënuan. Ka qenë një lojë e ashpër e skuadrës së Jehonës së Kozarës, të cilët kishin në krah dhe gjykimin e njëanshëm”.
Dhe Golemi ka bërë thirrje drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit që të jenë të drejtë e të sjellin në ndeshje gjyqtarë kompetent. Madje kanë deklaruar që në ndeshjen e javës së tretë, atë me Internacionalin e Pezës, ndeshja do të filmohet. “Nëse gjyqtarët nuk e mbajnë ashtu siç duhet, atëherë Federata Shqiptare e Futbollit do të marrë ndëshkimin që meriton. Janë tre raste të cilat gjyqtarët kanë bërë gjykim të njëanshëm ndaj nesh, dy herë sezonin e kaluar në ndeshjen IDS Tirana-Golemi 4-2 dhe Golemi-Valbona 1-3, si dhe tani ndaj Jehonës së Kozarës, atje ku gjyqtarët janë shitur e korruptuar për 100 mijë lekë të vjetra. Ndaj FSHF të marrë masa.”