Nga Bujar Qesja 18.05.2016 15:05
Gëzimi i durrsakeve është i ligjshëm në parket. Krejt rastësisht ndeshem edhe me një portret të njohur, disa herë pjesë e shkrimeve të mia në vitet 1970-të dhe 1980-të. U përqafuam me shumë mall. E cili ishte ky? Rudolf Cici, gjyqtari i famshëm i basketbollit. Dhe ky që gjykoi sot Goga Basket-Tirana, është i biri, Gentiani, për të cilin kam shkruar me nota pozitive, pasi gjykon edhe në basketbollin evropian. Por sot nuk na u duk i saktë, ndonëse ndeshja ishte shumë korrekte dhe me frymë qytetarie.
Goga Basket fitoi. Por ajo që vlen më shumë se fitorja në fushë, është fitorja në shkallët e stadiumit, më kthimin e sportdashësve. Shumë kulturë në këtë ballafaqim sportiv, që është aq e nevojshme për sportin shqiptar. Dhe, pasi kemi lëne pas 40 herë kampionet e Shqipërisë, Tiranën, kryefjalën e basketbollit shqiptar te femrave, në 5 ndeshje na pret 20 herë kampionia Flamurtari. Betejë e hapur për titullin dhe Goga Basket pranë historisë. Do të dalë “kampione”? Do të ishte hera e parë që do të ndodhë kjo.
Janë shanset! Pse jo. Publiku të japë ndihmesën e tij, ja kështu si mbrëmë. Basketbollistet gjithashtu. Greva dhe Xheka në pozicionet e tyre aq të lodhshme dhe sfiduese. Po edhe shtabi drejtues i Goga Basket është i gatshëm për ta provokuar për herë të parë historinë e “topkoshit” të femrave. Qoftë me bereqet kjo gjë. E mirëpresim këtë arritje, madje jemi të djegur për ketë ngjarje të pazakontë. Viti 2016, vjen pas 71 vitesh të organizimit të kampionatit të parë kombëtar të basketbollit.
Duhet të jemi më fat këtë herë? Te presim! Suksese Goga Basket! Jemi me ty dhe pranë teje!