AlbanianSport.com 24/03/2019 12:30
ASNN – Goga Basket tregoi dhe një herë tjetër se është e pandalshme këtë sezon. Ajo mundi në kryeqytet Tiranën me rezultatin 98-75. Është një diferencë e madhe për dy skuadra që pretendojnë titullin, por dukshëm ekipi privat i Durrësit është këtë edicion mjaft lart, jo vetëm në aspektin e renditjes, por mbi të gjitha në aspektin cilësor, pasi i ka fituar ndeshjet bindshëm dhe mban kryesimin prej fillimit, duke thyer hegjemoninë e skuadrave të bashkive që kanë bërë “ligjin” deri më sot.
Sa i takon ndeshjes, Goga e nisi dhe e mbylli ndeshjen në epërsi, duke mos u dhënë asnjë shans bardhebluve të shpresonin për një fitore të madhe. Në të vërtetë, Tirana ka një progres të dukshëm nga fillimi i sezonit, por kjo skuadër ka pasur peripecitë e saj që nuk e kanë lënë të shfaqet në maksimumin e vet. Përveç kësaj, Tirana e pati shtangur Goga Basketin në përballjen e parë midis këtyre skuadrave në kryeqytet, në kuadër të fazës së dytë.
Sa i takon rezultatit të djeshëm, pjesët e lojës u mbyllën përkatësisht me shifrat: 17-21, 21-21, 14-25 dhe 23-31, kuptohet në favor të Goga Basket. Me dypikëshin e sotëm Goga shkon në 32 pikë dhe mban kreun e pashqetësuar nga rivalët. Kurse Tirana mbetet në vend të katërt, me 25 pikë, një më pak se Partizani i vendit të 3-të. Por këto pikë e ndihmojnë atë të qëndrojë në 4-shen e parë, pozicione që janë të vlefshme për “play-off”-in e kampionatit, i cili është përcaktues për fatet e titullit këtë edicion.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 17-të
Të shtunën, 23 mars 2019:
Partizani – Kamza Basket 94-83
(24-27, 21-14, 32-26, 17-16)
Tirana – Goga Basket 75-98
(17-21, 21-21, 14-25, 23-31)
Vllaznia – Teuta 88-89
(27-24, 14-26, 18-19, 26-16, 4-5)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 17 15 2 32
- Teuta 17 13 4 30
- Partizani 17 9 8 26
- Tirana 17 8 9 25
- Vllaznia 17 3 14 20
- Kamza Basket 17 3 14 20