AlbanianSport.com 08/12/2018 23:00
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Superliga, ka luajtur të shtunën dy ndeshjet e tjera të javës së tij të 9-të, teksa të premten Teuta kishte mposhtur Kamza Basketin me rezultatin 111-76. Të dy takimet e së shtunës janë luajtur duke nisur nga ora 18:00 dhe në kryeqytet, Goga Basket ka triumfuar në duelin e kreut ndaj Partizanit, me shifrat 74-68.
Ndërsa në Shkodër, Vllaznia është ringjallur, duke gjetur fitoren e parë të këtij sezoni, pasi ka mundur 78-70 Tiranën. Në duelin midis dy skuadrave që ndanin deri para kësaj sfide kreun e renditjes, Goga Basket e ka nisur më mirë pjesën e parë të takimit ndaj Partizanit, duke e fituar atë 24-21. Por gabimet e shumta të durrsakëve dhe loja e kujdesshme e Partizanit bënë që pjesa e dytë të fitohej nga të kuqtë.
Madje skuadra e trajnerit Arben Fagu e ka fituar bindshëm këtë 10-minutësh, 20-9, duke shkuar në pushim të ndeshjes në kryesimin 41-34. Por skuadra e Goga Basket ka dalë ndryshe nga dhomat e zhveshjeve dhe ka shpërthyer në parket, duke e fituar atë me rezultatin 25-16 e duke marrë kryesimin pas një gjysmë ore lojë, me shifrat 59-57. Pjesa e 4-t dhe e fundit është një lojë nervash, ku triumfojnë durrsakët.
Skuadra e trajnerit Nikola Milatoviç e fiton edhe këtë 10-minutësh të fundit 15-11 dhe gjithë ndeshjen 74-68, duke u shkëputur e vetme në krye të renditjes, me 16 pikë, një më tepër sesa Partizani dhe Teuta, dhe dy më tepër sesa Tirana, që u mund në Shkodër. Në fakt, bardheblutë erdhën në këtë sfidë pasi patën mundur më parë në kryeqytet Goga Basket dhe më pas Partizanin, duke dhënë shenjat e një ringjalljeje.
Por këto shenja i ka dhënë të shtunën Vllaznia, ku puna e trajnerit Neven Plantak po jep fryte, sepse shkodranët kanë gjetur fitoren e parë pas 9 javëve të para të këtij sezoni, që sidoqoftë do të jetë i vështirë për kuqeblutë sa i përket mbijetesës. Vllaznia mbyll renditjen me 10 pikë, dy më pak sesa Kamza Basket dhe 3 më pak sesa Tirana, me të cilat duket se do të zhvillojë betejën për të mos rënë nga kategoria
Kampionati Kombëtar
I Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 9-të
Të premten:
Teuta – Kamza Basket 111-76
Të shtunën:
Partizani – Goga Basket 68-74
Vllaznia – Tirana 78-70
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp +/- Pikë
- Goga Basket 9 7 2 821-706 115 16
- Partizani 9 6 3 739-655 84 15
- Teuta 9 6 3 803-625 178 15
- Tirana 9 4 5 714-755 -41 13
- Kamza Basket 9 3 6 671-802 -131 12
6. Vllaznia 9 1 8 631-836 -205 10