AlbanianSport.com 17.12.2014 19:25
ASNN – Vllaznia ka marrë tri pikë të vlefshme në sfidën ndaj Partizanit, teksa ka fituar 1-0, falë golit të realizuar nga Tafili. Një ndeshje mjaft e bukur me ritëm dhe me raste nga ana e të dyja skuadrave është zhvilluar ajo midis Partizanit dhe Vllaznisë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Të kuqtë e trajnerit Duro e nisin mirë takimin duke krijuar rrezikshmëri në portën shkodrane.
Por në minutën e 35-të, është Tafili që kalon Vllazninë në epërsi. Një goditje nga jashtë zonës e futbollistit shkodran dhe topi, pasi është devijuar nga një mbrojtës i kuq, përfundon në krahun e djathtë të portës së mbrojtur nga Alban Hoxha. Pjesa e parë e takimit do të mbyllej me një rast të dyshimtë në portën e Vllaznisë në minutën e 41-të, kur futbollistët e Partizanit protestojnë se portieri Selimaj e ka pritur topin brenda vijës fatale të portës.
Por gjyqtari jemini vazhdon lojën. Në pjesën e dytë, megjithë ndërrimet e trajnerit Duro, futbollistët e Partizanit nuk arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës. Raçiç rrezikon disa herë por pa mundur të finalizojë. Kjo është humbja e dytë radhazi për Partizanin që zbret në vendin e tretë të renditjes me 33 pikë. Ndërsa për Vllazninë e trajnerit italian Baldo Raineri fitorja ndaj Partizanit është rezultati i 5-të pozitiv radhazi.
Tashmë skuadra shkodrane pozicionohet në vendin e 6-të në tabelën e renditjes, me 23 pikë duke lënë në vendin e 7-të Flamurtarin që humbet 1-0 në Korçë nga skuadra vendase. Në vend të parë ndodhet Kukësi që ka mundur 1-0 Tiranën, falë golit të realizuar nga Hysa që në minutat e para të takimit. Në ndeshjet e tjera, Laçi ka mundur Elbasanin 1-0 dhe Teuta Apoloninë po me rezultatin 1-0.