Gjergj Vyshka 13.11.2014 17:05
Festa mbërthen hotelin ku është grumbulluar kombëtarja kuqezi e peshëngritjes në Almati. Daniel Godelli krenar për titullin “kampion bote”: “Emocion i veçantë, nderova Shqipërinë, por dhe të gjithë mbështetësit e mi në peshëngritje. Është një titull për të gjithë shqiptarët”. Daniel Godelli, padyshim ylli i peshëngritjes shqiptare ndan me të gjithë bashkëkombësit e tij titullin e kampionit të botës për një tjetër motiv krenarie mbarëkombëtare. Vetëm pak orë pasi është ngjitur në çatinë e botës, 22-vjeçari rrëfen: “Ishte një emocion i veçantë sepse kam shumë muaj që punoj për këtë ditë dhe në ato 5 minutat e garës më iku gjithë ajo lodhje që kisha”, – ka deklaruar ai.
“Më iku gjithë ai stres para garës, kështu që jam shumë i lumtur, – ka vijuar peqinasi i shtangës kuqezi. – Unë e kam ëndërruar këtë ditë që të vinte. Jam stërvitur fort për këtë ditë, kështu që e prisja pavarësisht se tani që ia dola ndihem shumë më i lumtur nga sa e kisha imagjinuar”. Natyrisht që titulli botëror nuk është një mision i lehtë, por Godelli ka qenë i përgatitur për këtë arritje në të gjitha aspektet. “Nga ana psikologjike ndihesha shumë mirë sepse kisha shumë njerëz afër që më jepnin kurajë, kështu që nuk e kisha problem. Pesha më mundoi pak, por ja dola”.
Pyetjes se cili ishte momenti më emocional i garës dhe kureshtja se përse nuk arriti të thyente rekordin botëror i është përgjigjur: “Momenti më emocional ishte kur tentova të thyeja rekordin e botës. E kisha provuar atë peshë edhe në stërvitje në palestër, por për një pakujdesi të vogël nuk arrita ta thyej”.Thyerja e rekordit tashmë mbetet në listën e gjërave që mbeten për tu bërë, ashtu si dhe medalja olimpike. “Unë di të them që me punë bëhet gjithçka, – ka vijuar shtangisti kuqezi. – Kam punuar, jam stërvitur fort, jam munduar për këtë ditë dhe ia arrita ta bëj.”
“Dhe premtoj që më shumë do të bëj, – ka premtuar ai. – Shpresoj që ta plotësoj koleksionin tim dhe me medaljen olimpike që të ndihem i plotësuar”. Gara e Godellit ka mbajtur me frymën pezull të gjithë ata që e kanë ndjekur , por padyshim emocionet kanë qenë të shumëfishuara për presidentin e FSHP, Elez Gjoza që ishte pranë Godellit në ato momente. Ndërkohë festa ka qenë e madhe në hotelin e kuqezinjve, jo vetëm me sportistë pjesë e delegacionit, por dhe me drejtorin e sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonajn, Luan Shabanin dhe Ilir Kullën.
Dhe pritet që një festë më e madhe të jetë në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit kur të vijnë kuqezinjtë.