Nga Gjergj Vyshka 28.12.2016 08:45
Tirana në basketboll për femra është kryesuese e kampionatit për pjesën e parë të sezonit. Në 8 ndeshje bardheblutë e trajnerit Roland Avrami kanë marrë 8 fitore, teksa të fundit për vitin 2016 e kanë fiksuar më 21 dhjetor në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet ndaj Apolonisë.
81-60 për Tiranën, e cila kështu është kthyer në dominuesen e kampionatit të femrave. Ndërkohë ajo që bën surprizën është thyerja e Flamurtarit, “kampione” në fuqi, në dy ndeshje radhazi. Më parë ishte mundur nga Tirana në Vlorë në kohën shtesë 90-87, kurse të mërkurën është rrëzuar përballë Goga Basket të trajnerit Henri Moja.
Vlonjatet janë mundur në fushën e durrsakeve, me shifrat 63-69. E sakaq, 4-shen e skuadrave që do të jenë në “play-off”-in për titull, ndonëse është për t’u luajtur dhe pjesa e dytë e sezonit, që nis më 3-4 shkurt, e plotëson Vllaznia, që të mërkurën ka mundur Studentin, 71-56.
Sikurse ka bërë dhe Skënderbeu me Elbasanin, 97-76. Mbetet një pikëpyetje e madhe kombëtarja, e cila në Eliminatoret e Evropianit është mundur në të 6 ndeshjet, atje ku humbja më e madhe është me 86 pikë diferencë me Britaninë e Madhe, 36-122, kurse më e ngushta me 42 pikë diferencë 55-97 po me Britaninë e Madhe.
Parë kështu kampionati i basketbollit të femrave vijon të mos prodhojë cilësi për kombëtaren.