AlbanianSport.com 26/01/2024 16:10
ASNN – Kupa e Shqipërisë në futboll për femra do të zhvillojë këtë fundjavë ndeshjet gjysmëfinale të edicionit të 15-të të saj. Dy takimet gjysmëfinale të këtij edicioni do të luhen të ndara në dy ditë, të shtunën dhe të dielën, teksa 4 ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni janë Tirana, Partizani, Apolonia e Gramshi.
Sipas skemës së përcaktuar nga Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), finalistët do të përcaktohen me ndeshje me sistem vajtje-ardhje, teksa takimet e para do të luhen këtë fundjavë, ndërsa ndeshjet e kthimit do të luhen javën e ardhshme.
Apolonia-Gramshi dhe Partizani- Tirana janë dy ndeshjet gjysmëfinale të këtij edicioni të 15-të të Kupës së Shqipërisë. Fieraket do të presin në shtëpi vajzat e Gramshit, ekipin e krijuar rishtaz këtë edicion e që kaloi në gjysmëfinale pas vendimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës e Etikës në FSHF.
Ky Komision vendosi përjashtimin e Vllaznisë nga kjo veprimtari. Apolonia vjen në këtë sfidë pas dy fitoreve rresht me Laçin në çerekfinale. Takimi i parë Apolonia-Gramshi do të luhet në Stadiumin “Loni Papuçiu” të shtunën, duke nisur nga ora 14:00. Sakaq, sfida Partizani-Tirana nuk është më vetëm një ndeshje.
Është derbi i kryeqytetit për vajza që tashmë ka filluar të ketë shumë interes edhe nga tifozët. Takimi i parë mes dy skuadrave, që e kaluan fazën çerekfinale me fitore do të luhet të dielën në shtëpinë e vajzave të kuqe, “Arena e Demave”, të dielën, duke nisur nga ora 14:00.
Një takim që pritet të dhurojë spektakël, edhe për faktin që të dyja skuadrat kanë treguar cilësi dhe rritje përgjatë viteve të fundit.
Kupa e Shqipërisë
Futboll – Femra
Takimet e para të gjysmëfinaleve:
Të shtunën, 27 janar 2024:
Apolonia – Gramshi (ora 14:00)
Të dielën, 28 janar 2024:
Partizani – Tirana (ora 14:00)