Nga Gjergj Vyshka* 08.12.2015 18:00
Shantazhe, presione, ofendime dhe kapje për gryke për “bilbilat” e basketbollit shqiptar. Loja e koshit ka harruar teknikën dhe taktikën e parketin ka nisur ta dominojë forca. Federata, por edhe vetë shoqata e gjyqtarëve hesht dhe mjaftohet me gabimet teknike që akordojnë “bilbilat” gjatë ndeshjes. Gjyqtarë mbroni veten, s’na duhen martirë. Kështu duhet thënë për gjyqtarët e basketbollit, të cilët më së shumti javën që lamë pas kanë provuar të gjitha llojet e gjërave jashtë sportit nga drejtuesit e skuadrave, trajnerët, por dhe lojtarët. Shantazhet, presionet, ofendimet dhe kapje për gryke kanë qenë fenomenet që janë ndeshur në kampionatin e të rriturave dhe të rriturve.
Por edhe pse ndodh kështu duket se edhe këtë herë Federata Shqiptare e Basketbollit ka për të kaluar gjithçka në heshtje e do të mjaftohet me atë që japin gjyqtarët kur bëhet fjala për gabime teknike e deri në teknik përjashtimi. Mirëpo jemi vetëm në javën e parafundit të fazës së dytë në basketboll për meshkuj dhe për femra e gjërat kur bëhet llogaria më pas për titull kampion, apo siç ndodh tek djemtë për të rënë e për t’u ngjitur një kategori më poshtë, nuk mund të kalohen kaq lehtë. Por çfarë ka ndodhur? Historia e protestave nis të enjten pasdite në sallën sportive të Bathores në ndeshjen e të rriturave Kamza Basket-Tirana 51-62.
Një gabim teknik i dhënë nga gjyqtari Adrian Dulçe ndaj kapitenes së Kamzës, Vata, është kthyer në “mollë sherri”. Protesta, ofendime ndaj gjyqtarit dhe më pas tentativë për ta sulmuar dhe pas ndeshjes, por që për fat është ndalur nga lojtaret e Kamzës dhe drejtuesit e saj, që në fakt nuk kanë kursyer kritikat e tyre tek vëzhguesi i ndeshjes, Gëzim Hoxha, për këtë gjyqtar vendimi i të cilit, apo dhe i kolegëve të tij është i pakundërshtueshëm nga askush. Vijohet të premten në ndeshjen Partizani-Teuta 69-82. Trajneri i të kuqve, Elvis Ismeti, është shfaqur i nervozuar dhe kërcënues për vendimet e gjyqtarit Marli Kasëmi dhe të kolegëve të tij Gilbert Hoxha e Andi Bejko.
Por për fat, pasi është qetësuar nga inspektori i klubit Partizani, Elton Stafa, gjithçka ka qenë normale. Kalohet më pas në ndeshjen Superior Klima-Ardhmëria Basket 47-61. Gjyqtarët Gilbert Hoxha dhe Ylli Harasani janë gjithnjë në vrullin e kundërshtimit dhe presionet e drejtuesve të Superiorit, gjë që më pas do ta pësonte edhe vëzhguesi Jorgji Shundi, ish-gjyqtar ndërkombëtar, për një gjobë 1,500 lekë të reja për organizimin e ndeshjes, sepse në pjesën e katërt, kur kishin mbetur dhe 3 minuta e 21 sekonda lojë, takimi është ndërprerë për mungesë të forcave të rendit dhe më pas ka vijuar normalisht.
Madje në një moment të caktuar Hoxha dhe Harasani i kanë kërkuar vëzhguesit Shundi që të shkojnë në dhomë derisa të vinte policia, sepse qëndrimi në sallë, në pritje të forcave të rendit, ishte në kushte aspak normale për ta. E kulmi i së shtunës është kapja për gryke e gjyqtarit Elvis Allaraj në Vlorë në ndeshjen Flamurtari-Kamza Basket 75-87, që shoqërohej nga Hansi Trajer dhe Oltion Kasmi, nga trajneri i Kamza Basket, Adem Muhametaj. Dhe e fundit ishte ndeshja Eagles-Elbasani 44-80, atje ku basketbollisti i Eagles, Ambo, ka ofenduar gjyqtarin Erlambi Tiko, shoqëruar më pas me teknik përjashtimi.
E megjithatë ajo që bie në sy është fakti se asnjë klub, apo skuadër nga ata që kanë protestuar, apo dhe kanë prekur gjyqtarët me dorë nuk kanë kërkuar deri më sot falje. Të vetmen gjë e ka bërë Tirana Eagles, që është distancuar nga veprimi i Ambos. Por në kushtet kur Federata Shqiptare e Basketbollit nuk ka ndërmend të reagojë së bashku me Komisionin e saj të Disiplinës kjo do të thotë se as më pak e as më shumë por gjyqtarët kanë mbetur vetëm. Janë kthyer në një plaçkë që gjithkush mund të bëjë çdo gjë me ta, ndërsa në asnjë moment nuk janë të qetë të bëjnë detyrën e tyre duke u kthyer më pas me detyrim të njëanshëm.
Nuk duhet harruar që gabimet e tyre janë njerëzore dhe asnjëherë me dashje. Për fat që nga 2011-ta, gjyqtarët e basketbollit janë të pavarur dhe kanë Shoqatën e tyre, e cila në këtë rast duhet të veprojë sa nuk është vonë. Sepse gjyqtarët duhet të mbrojnë veten për të mos u bërë martirë në basketbollin e lënguar shqiptar për të cilin askush nuk ka nevojë.
* Qëndrimi i shprehur në editorialin e mësipërm nuk reflekton domosdoshmërish politikën editoriale të AlbanianSport.com, por botohet në respekt të të drejtës profesionale të shprehjes së lirë.