AlbanianSport.com 09/01/2019 17:35
ASNN – Ish-ylli i futbollit brazilian, Ronaldinjo, ka lënë gjurmët e këmbëve të tij në Hollin e Famës në Stadiumin legjendar “Marakana” në Rio de Zhaneiro, një vit pasi ai i dha lamtumirën futbollit të luajtur. “Ajo që ndodhi këtu është një nga trofetë më të mëdha të karrierës sime, – ka thënë sulmuesi brazilian. – Unë vërtet e ndërpreva karrierën time si futbollist, por kam një jetë shumë aktive.”
“Udhëtoj shumë, nga njëra anë e botës në tjetrën, gjatë gjithë kohës, – ka vijuar 38-vjeçari. – Vendosja e këmbëve të mia këtu në “Marakana”, përmbush plotësisht atë që unë kam bërë në futboll.” Ai që e ka shoqëruar Ronaldinjon gjatë kësaj ceremonie ka qenë Uilson Uitzel, guvernatori i Rio de Zhaneiro, i cili e ka quajtur ish-futbollistin si një shembull për të rinjtë, të cilët duhet ta ndjekin rrugën e tij.
“Ai është një shembull, që të rinjtë duhet ta ndjekin. Ronaldinjo, është shprehur I gatshëm që të na ndihmojë, të mbështesim lojtarët e rinj në futboll. Por fillimisht duhet të zgjidhim problemin e çështjes së koncesionit në Maracana. Vetëm kështu mund të ofrojmë gjithnjë e më shumë ngjarje sportive në këtë stadium “.