Gjergj Vyshka 13.11.2014 16:10
Reagimi i presidentit të Federatës: “Është fryt i një pune katër mujore dhe një stërvitjeje intensive nën drejtimin e Luan Shabanit”. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka qenë më shumë se sa i kënaqur për medaljen e Artë të Daniel Godellit, e cila është e para në një Botëror për të rritur për Shqipërinë. “Është fryt i një pune të gjatë dhe të palodhur të të gjithë ekipit kombëtar, që ka pasur më shumë se sa katër muaj grumbullim, – ka deklaruar ai. – Është fryt i punës së trajnerëve të ekipit kombëtar Zef Kovaçi e Sokol Bishanaku.”
“Por mbi të gjitha është fryt i një përgatitje intensive me shqiptarin e mirë Luan Shabani, kampion bote dhe kampion olimpik, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris shtangën kuqezi. – Ne e prisnim këtë rezultat të Danielit, sepse edhe në stërvitje ai ka bërë më shumë se çfarë ka arritur sot në garë. Ne jemi krenar për këtë medalje, sepse tregon dhe për punën e madhe e të përkushtuar të Federatës dhe të gjitha instancave shtetërore që e mbështesin këtë sport. Jemi krenar për gjithçka që kemi arritur deri më tani.”
Sa për Erkand Qerimajn, Gjoza do të kishte këtë koment: “Erkandi ka pasur një dëmtim gjatë kampionatit kombëtar të të rriturve në Tiranë, gjë që e pengoi të ishte në maksimumin e tij në Kampionatin Botëror. Megjithatë Shqipëria ka qenë e tëra në shpatullat e Daniel Godellit, që sot na nderoi të gjithëve”. Po rekordi botëror? “Ka pasur një gabim teknik në ngritjen e shtangës. Por të jeni të bindur që shumë shpejt ai do të jetë dhe rekordmen bote, falë talentit që ka do të sjelli dhe të tjera medalje”, ka përfunduar Gjoza.