AlbanianSport.com 27/11/2018 16:20
ASNN – Gjashtë muaj më parë ai as llogaritej të ishte më pjesë e projektit të trajnerit Gasperini në radhët e Atalantës, por sot është një futbollist që e duan tifozët, sepse është i qëndrueshëm, bën punë të madhe në mbrojtje dhe di të shënojë gola edhe në sulm. Bëhet fjalë për Berat Gjimshitin, mbrojtësin shtatlartë të Kombëtares kuqezi, njëherësh pjesë e Atalantës në Serie A. I ftuar në një studio televizive në Bergamo, Gjimshiti ka habitur moderatorët dhe analistët, kur u tha se fliste 6 gjuhë dhe se Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është “italizuar” aq shumë se aty gjithë kohës flitet italisht.
Gjimshiti tregon ndër të tjera se si i ka mësuar gjuhët, edhe pse qëndron në Zvicër me shtëpi e familje, por edhe si u acaruan zviceranët kur ai vendosi të zgjedhë Shqipërinë. Djaloshi që vjen me origjinë nga Lugina e Preshevës është “fenomen” në gjuhët e huaja. “Flas 6 gjuhë, njërën jo aq mire, – theksoi Gjimshiti, – ndoshta isha pak më mirë në gjuhët e huaja se në gjërat e tjera në shkollë se kemi bërë në Zvicër frëngjisht e anglisht në klasë. Jam nga Zyrihu dhe atje flitet gjermanisht. Këtu bëra një muaj shkollë në italisht kur erdha. Pastaj është gjuha shqipe, gjuha e gjakut tim, por unë kam të dashur serbe dhe me të flas serbo-kroatisht.”
Më pas, ai foli për projektin e Atalantës, e cila e ftoi në një moment të vështirë. “Nuk është se më parë më thanë ‘ik’, – vijoi rrëfimin e tij futbollisti kuqezi, – pashë që nuk kishte hapësira dhe shkova në një vend ku mund të luaja më shumë. Në 6 muajt e parë këtu bëra vetëm 3 ndeshje që janë pak, është e vështirë pastaj të rrish në maksimum. Ishte e rëndësishme të shkoja në huazim në moshë të re. Kam luajtur te Avelino ku kishte probleme por mbijetuam në javën e fundit. Pastaj zgjodha Beneventon se kur u përballa me ta në Serinë B, më pëlqente mënyra se si luajtën futboll. Këtë verë isha në shtëpi, po stërvitesha vetëm me një përgatitës atletik në Zyrih.”
“Atalanta kishte filluar fazën përgatitore prej kohësh nga Evropa, ndërsa unë isha në shtëpi, prisja çfarë do të ndodhte, prisja të zgjidhja ekipin ku do të shkoja, – shtoi mbrojtësi kuqezi, -. Pastaj erdhi telefonata e drejtorit që më ftoi në grumbullim. Isha paksa i çuditur. “Si të vij?!” i thashë. Ishte thuajse e sigurt që do të largohesha, më tha “eja se trajneri do që të kthehesh”. Mora bagazhet e shkova dhe që aty ecën gjërat. Trajneri më tha stërvitu mirë dhe atë po bëj.” Dy fjalë dhe për Kombëtaren dhe për gjuhën italiane që ëstë bërë “lingua franca” në gjirin e kuqezinjve. Italishtja i ka hyrë në punë edhe në ekipin kombëtar.
“Aty flasin të gjithë italisht, flitet vetëm italisht me stafin italian. Tani është Panuçi, më parë ishte Tramexani me De Biazin, të gjithë flasin italisht e kuptohet”, theksoi më tej Gjimshiti. “Kam nënshtetësi të trefishtë, – deklaron mbrojtësi kuqezi, – E treta është serbe. Familja ime është e lindur në një vend në Serbi që ka vetëm shqiptarë, pak e vështirë ta shpjegoj. Kemi pasaportat serbe, por jemi shqiptarë. Kur ika nga moshat e Zvicrës te Shqipëria e di që janë mërzitur. Kam bërë të gjitha moshat me ta, është edhe çështje parash.”
“Janë lojtarë kandidatë të cilët ata i shohin se mund të shkojnë në ekipin A, dhe ata shpenzojnë për ta, u bëjnë 4 teste të veçanta në vit. Unë isha te ai grup, ndaj janë mërzitur kur shkova te Shqipëria”, – ka përfunduar futbollisti i Atalantës dhe Kombëtares kuqezi, Berat Gjimshiti.