Adriatik Balla 06.06.2015 15:40
Federata Shqiptare e Gjimnastikës zhvilloi këto ditë Kampionatin Kombëtar të Gjimnastikës Artistike dhe asaj Aerobike për të rritur, të rinj dhe paratërinj në të dy kategoritë, pra si për meshkuj dhe për femra. Edhe pse me një fond të reduktuar financiar dhe me probleme të mëdha të bazës materiale dhe kushteve stërvitore, federata ia doli të bëjë një veprimtari serioze dhe cilësore, ku u evidentuan ekipet më të mira dhe elementët më të mirë. Në këtë veprimtari gjimnastikore morën pjesë klubet e Partizanit, Vllaznisë, Tomorit, Skënderbeut, Besëlidhjes si dhe 7 shoqata sportive të anëtarësuara në FSHGJ.
Kampionati u zhvillua në dy ditë, ku në të parën u bënë garat e gjimnastikës artistike dhe ditën e dytë veprimtaritë e gjimnastikës aerobike. Pjesëmarrja ishte e konsiderueshme dhe cilësia e admirueshme. Garat e gjimnastikës artistike, që është dhe bërthama e gjimnastikës ë mirëfilltë, u zhvilluan në palestrën “Partizani”, e vetmja e mbetur në Shqipëri dhe që po degradohet përditë si pasojë e mungesës së vëmendjes dhe investimit. Sidoqoftë, sportistët dhuruan garë cilësore dhe ajo që spikati ishte prurja e elementëve të rinj dhe paraqitja e bukur e talenteve të rinj.
Puna e përkushtuar e trajnerëve të gjimnastikës Vladimir Limaj (KS “Vllaznia”), Migena Panariti (KS “Skënderbeu”), Ilir Muço (KS “Partizani”), Edison Konomi (KS “Tomori”), etj, e bëjnë këtë sport të vështirë dhe të bukur të arrijë nivele të kënaqshme për kushtet që shteti ofron. Në përfundim të veprimtarisë së gjimnastikës artistike për meshkuj të rritur “kampion” kombëtar Ekipi i KS “Partizanit” me trajner Ilir Muçon. Në 5-garësh, “kampion” kombëtar doli gjimnasti Pandeli Kondi i KS “Partizanit” me 64.00 pikë. Për të rinj, ekipi “kampion” u shpall KS “Tomori”, me trajner Edison Ikonomin. “Kampion” në 5-garësh për të rinj, u shpall gjimnasti Kleandro Malka me 40.05 pikë.
Për paratërinj “kampion” kombëtar u shpall KS “Tomori” dhe si individ “kampion” kombëtar doli Oltion Përvata i KS “Partizanit”, me 46.55 pikë. Ne përfundim të kampionatit të gjimnastikës artistike për femra të rritura, “kampione” kombëtare u shpall ekipi i KS “Vllaznia”, me trajner Vladimir Limajn, ndërsa “kampione” kombëtare në 4-garësh gjimnastja Oneda Reçi e KS “Vllaznia” me 50.70 pikë, e cila paraqiti një nivel të lartë ekzekutimi të ushtrimeve në vegla. Për të Reja fitues u shpall ekipi i “Partizanit” dhe në 4-garësh gjimnastja Megi Hamza e “Partizani” me 36.70 pikë. Për paratëreja “kampion” doli ekipi i “Partizanit”.
Kurse kampione në 4- garësh gjimnastja Françeska Kodra e “Skënderbeut” me 32.50 pikë. Në ditën e dytë, në një atmosferë shume festive u zhvillua Kampionati Kombëtar i Gjimnastikës Aerobike për të gjithë grupmoshat, në arenën e Cirkut Kombëtar me pjesëmarrjen e mbi 200 sportistë meshkuj femra. Në fund Federata lëshoi apelin: Gjimnastika si sport bazë olimpik, sport me vështirësi ushtruese, ka qenë sport elitar prej mëse 65 vitesh, por ai duhet të mbështetet financiarisht (fondi çdo vit ulet) e të jetë në vëmendje te politikbërësve.