Gjergj Vyshka 07.10.2014 13:45
Federata Shqiptare e Gjimnastikës, me presidenti Leonard Lulajn dhe Sekretare të Përgjithshme, Fatbardha Shtrepin, ka zhvilluar në fundjavë tri veprimtari të parashikuara në kalendarin e vitit 2014. Bëhet fjalë për Kupën e Shqipërisë në gjimnastikën artistike, atë të përgjithshme dhe aerobinë sportive. Sipas informacionit që ka dhënë Shtrepi për “Gazeta e Sportit”, aerobia sportive është zhvilluar të premten në arenën e cirkut në kryeqytet.
Në të morën pjesë mbi 100 sportistë nga 12 klube e shoqata anëtare të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, ndërsa është konkurruar në grupmoshat e para të rinjve, të rinjve dhe të rriturve. Dy kanë qenë ushtrimet e ekzekutuara, kombinacion koreografik dhe ushtrim teknik. Gara është gjykuar nga një juri profesioniste, në përbërje të së cilës ishin koreografë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, si dhe gjyqtarë me eksperiencë.
Në përfundim fitues është Besëlidhja me trajner Arben Golemin e pas tyre janë renditur shoqata “Jump Style” dhe “Sky 07 Gym”. Ndërkohë si disiplinë të aerobisë sportive fitues është Skënderbeu. Po kështu u zhvilluar dhe Kupa e Shqipërisë në Gjimnastikën Artistike, atje ku si individ u shpallën fitues Oneda Reçi e Vllaznisë me 49.60 pikë dhe Pandeli Kondi me 61.10 pikë. Janë dalluar për femra Eralda Zemanaj dhe Megi Hamza, si dhe për meshkuj Bexhet Ruka dhe Sajmir Hamza.
Kësisoj gjimnastika me një “tris” veprimtarish vazhdon të mbijetojë në Shqipëri.