AlbanianSport.com 16/05/2020 17:30
ASNN – Futbolli evropian ka nisur nga Gjermania procesin e vështirë të kthimit, përtej masave të pazakonta. Pas plot 68 ditësh, Bundesliga gjermane është rikthyer të shtunën pasdite në fushën e blertë, duke shënuar njëkohësisht edhe rikthimin e futbollit evropian pas ndërprerjes për shkak të epidemisë së virusit korona. Ndeshja më e spikatur e së shtunës, e vlefshme për javën e 26-të të nivelit më të lartë të Kampionatit Gjerman të Futbollit, ka qenë padyshim derbi midis Borusias së Dortmundit dhe Shalke 04-ës.
Përtej aspektit sportiv, takimi që në nisi në ora 15:30, spikati për faktin se u luajt në një stadium fantazëm, pasi tifozët nuk lejohen nëpër ndeshje. Po kështu, nuk pati rreshtim të skuadrave, pasi ekipet dolën në distancë kohore nga njëra-tjetra, ashtu sikundër nuk pati shtrëngime duar midis lojtarëve kundërshtarë, por as me gjyqtarët.
Mungesa e tifozëve në stadiumin 80-mijë-vendësh ka bërë që të vetmet zhurma që dëgjoheshin ishin britmat e trajnerëve apo pjesëtarëve të tjerë të stolave të skuadrave në drejtim të lojtarëve përkatës, çka krijonte në tepër idenë e një seanca stërvitore sesa ndeshjeje. Edhe pse nisja ka qenë paksa me ritëm të ulët, çka është e kuptueshme për shkak të ndërprerjes kaq të gjatë, futbolli në Evropë ka nisur dhe kjo është padyshim një shenjë e mirë.