AlbanianSport.com 04.03.2015 08:10
ASNN – Sipas drejtuesve të stadiumit “Skënderbeu, çështja me OSHEE-në është zgjidhur dhe ndeshja do të luhet siç është parashikuar, në ora 17:00. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe trajneri i korçarëve, Mirel Josa, i cili, i pyetur për orarin e ndeshjes, ka deklaruar shkurtazi: “Sigurisht që do të luhet vetëm në këtë orë”.
Nga ana tjetër, Klubi i Futbollit “Skënderbeu” ka arritur një marrëveshje me zyrat rajonale të OSHEE për rikthimin e energjisë elektrike në stadium. Dhe kjo është arritur vetëm një ditë para takimit me kryeqytetasit. Palët nuk kanë bërë komente për marrëveshjen e arritur.
Por ajo që është e rëndësishme është se takimi me Tiranën, i vlefshëm për javën e 25-të të Kategorisë Superiore, do të luhet në orën e përcaktuar më parë nga sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Duhet thënë se deri të martën në drekë energjia nuk kishte ardhur në stadium.
Gjë e cila para stërvitjes së kësaj dite nuk është pritur aspak mirë edhe nga lojtarët e skuadrës korçare, të cilët jo vetëm janë parë të bisedojnë në pistë me trajnerin Miel Josa, por disa prej tyre këtë bisedë e kanë vijuar edhe në dhomën e trajnerit të skuadrës korçare.